Paloka tregon arsyen e ndërrimit të datës së protestës, çfarë pritet të ndodhë më 7 tetor
Edi Paloka ka treguar arsyen se përse PD ka ndryshuar datën e protestës nga 6 tetori, në 7 tetor.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, ai u shpreh se është ndryshuar strategjia e protestës.
Fillimisht është menduar të bllokohen akset në të gjithë Shqipërinë, por më pas u vendos të niset me Tiranën.
Mbledhja para Kryeministrisë u bë në mënyrë simbolike, pasi sipas tij çdo e keqe që i vjen këtij vendit vjen nga kryeminsitri Rama.
“Ndryshim strategjia. Tjetër profil proteste ishte ajo e parashikuar për datën 6, dhe tjetër është ajo e datës 7.
Ajo e së dielës ishte vendosur bllokim aksesh në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa ajo e datës 7 tetori do të nisë nga Kryeministria e më tepër do të shtrihet në të gjithë Tiranën. Nuk do të ketë fjalime”, tha ai.
Edi Paloka ka treguar detaje nga biseda që ka bërë me Ervin Salianjin pak para se të vetëdorëzohej në polici, për të përfunduar më tej në burgun e Fierit.
Ai rrëfen se Salianji ishte shumë i vetëdijshëm në lidhje me atë se çfarë po i ndodhte dhe që po shkonte drejt qelisë.
“Ishte koshient për atë se çfarë po i ndodhte. Më tha se do të vijonte të ishte i angazhuar nga burgu me aq sa mundej”, u shpreh Paloka.
Sa i përket faktit nëse dënimi e penalizoi Salianjin në karrierën e tij politike, Paloka u shpreh se ka ndodhur e kundërta.
Sipas tij, kjo që ndodhi ishte medalje për deputetin demokrat.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



