Pampuri: Refuzoj të bëhem pjesë e kësaj hipokrizie, autobusët dhe auditorët janë plot
TIRANË
Ka pasur sërish debate në Komisionin e Shëndetësisë. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ishte e ftuar në dëgjesën e kësaj të hëne, për të raportuar ecurinë epidemiologjike në vend dhe masat që po ndërmerren në shkolla, universitete dhe konvikte.
Para se të niste fjalën, ministrja tha se nëse deputetët nuk vendosin maskat, i duhet ta mbajë ajo atë, për të mbrojtur shëndetin dhe respektuar protokollin.
Kjo kërkesë nuk është respektuar nga deputetja demokrate, Oriola Pampuri, e cila tha se nuk mund ta mbajë maskën për hipokrizi, në një kohë që studentët paraqiten pa maska në auditorë dhe linjat e autobusëve janë të tejmbushur me qytetarë.
Manastriliu: Para se të marr fjalën dua të bëj një kërkesë për mbajtjen e maskave. Për të mbrojtur shëndetin e atyre fëmijëve që ne përmendim, por edhe tonën. Duke respektuar kështu edhe protokollin.
Pampuri: Refuzoj të mbaj maskën për hipokrizi. Duke qenë se në të njëjtën kohë linjat e autobusëve janë të tejmbushura dhe studentët në auditorë janë pa maska.
Manastirliu: Kemi filluar vaksinimin e plus 18-vjeçarëve në fundin e muajit korrik dhe s’e kemi ndalur. Kemi një vaksinim të hapur. Personat plus 16 vjeç mund të vaksinohen në pikat e vaksinimit. Ndërkohë me 2 dozat janë vaksinuar gjithsej mbi 42 mijë të rinj
Vokshi: Ju falenderojmë për informacionin që keni për vaksinimin, por ju lutem shkollat. Kam bërë 10 pyetjeve, i jeni përgjigjur akoma. Na tregoni sa nxënës janë të prekur, pse paguhen me 80% mësueset e prekura. Propagandat me vaksinimin mos e bëni këtu
Manastirliu: Unë s’bëj propagandë me shëndetin. Kini durim dhe dëgjoni. Nëse keni humbur shkoni kërkoni, sepse drejtoni një komision të rëndësishëm dhe mos bëni propagandë me shëndetin.
Vokshi: Propagandën bëjeni te shkallët e kryeministrisë. Sa nxënës janë infektuar.
Manastirliu: Propagandën e bëni ju në kangjella, jo unë.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi kanë debatuar me njëra-tjetrën teksa diskutonin për trajtimin e mësuesve dhe nxënësve nga COVID-i.
Vokshi i tha Manastirliut se më herët ka deklaruar se mësuesit janë kategori të veçanta, ndërkohë që ata që janë të prekur nga COVID, paguhen me 80% të pagës. Ndërsa ministrja, tha se me të vërtetë ata janë kategori prioritare, duke qenë se janë vaksinuar menjëherë pas mjekëve.
Manastirliu: Fondi në dispozicion që ka vendosur qeveria është një fond që ka qenë i konsiderueshëm, mbi 12 mln dollarë të vendosur nga qeveria. Qeveria e ka bërë detyrën për vendosjen e fondit për të sëmurët që përfitojnë nga rimbursimi i recetave, ndërkohë që deri më tani janë shpenzuar afro 300 mijë dollarë.
Vokshi: Kjo për faj të mjekëve të familjes, apo qytetarët?
Manastirliu: Mjekët e familjes bëjnë detyrën e tyre duke ndjekur gjendjen shëndetësore të pacientit. Ata nuk japin terapi që nuk është përcaktuar nga KT. Qeveria shqiptare ka vendosur në dispozicion shumën për rimburismin, ndërkohë deri më tani janë dhënë mbi 7 mijë receta.
Vokshi: Po mësues sa, nga 10 mijë që janë prekur?
Manastirliu: Mësuesit janë qytetarë dhe kur shkohet pranë mjekut të familjes, sepse ndoshta nuk keni shkuar ndonjëherë atje.
Vokshi: Sa rëndë që jeni, sa rëndë…
Manastirliu: Turp që flet kaq pa edukatë.
Vokshi: Ju keni bërë deklaratë se mësuesit do të kenë trajtim të veçantë.
Manastirliu: Ju nuk lini të informoj. Mund të mos ju pëlqejnë përgjigjet e mia. Unë po thoja se sa qytetarë janë trajtuar nga paketa e qeverisë, sa i përket trajtimeve të formës së prerë. Profesionet e mbështetura nga paketa, ne jemi duke bërë një ndarje sa i përket profesioneve.
Vokshi: Keni mashtruar kur keni thënë që janë kategori e veçantë?
Manastirliu: Patjetër që janë, sepse mësuesit janë vaksinuar të parët pas mjekëve. Kush ka thënë që nuk janë? Ata janë grup risku. Zv, ministrja është këtu për të thënë që janë paguar me 100%.
Vokshi: Kam një mesazh që një mësuese është paguar me 80%.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



