Panik në aeroportin në Londër, sulmohen disa persona
Një ngjarje e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në parkimin shumëkatësh të Terminalit 3 në aeroportin Heathrow të Londrës. Sipas policisë, një grup burrash spërkatën disa persona me spraj djegës dhe më pas u larguan nga vendngjarja.
Oficerët e armatosur ndërhynë shpejt dhe arrestuan një person të dyshuar, i cili ndodhet aktualisht në paraburgim. Hetimet për kapjen e pjesës tjetër të autorëve vazhdojnë.
Si pasojë e incidentit, një segment lidhës i autostradës M4 u mbyll përkohësisht. Autoritetet e “National Highways” njoftuan se “një incident serioz brenda tunelit të Heathrow” kishte shkaktuar bllokimin e rrugës drejt Terminaleve 2 dhe 3, por më vonë situata u normalizua dhe bllokimet u hoqën.
Të plagosurit u dërguan në spital dhe fatmirësisht nuk ndodhen në rrezik për jetën. Terminali 3 mbeti i hapur, megjithëse qarkullimi vijon të ketë vonesa për shkak të pranisë së shtuar të forcave të sigurisë.
Shefi i policisë, Peter Stevens, deklaroi:
“Ngjarja duket të ketë ndodhur mes personave që njiheshin me njëri-tjetrin, dhe një debat është përshkallëzuar duke shkaktuar plagosjen e disa prej tyre. Nuk po e trajtojmë incidentin si akt terrorizmi. Oficerët tanë reaguan me shpejtësi për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



