E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Papa emëron Arqipeshkv të Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodajn!
Lajme

Papa emëron Arqipeshkv të Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodajn!

Papa Françesku ka emëruar këtë të martë Imzot Arjan Dodajn në detyrën e Arqipeshkvit të ri Metropolitan Tiranë-Durrës.

Emërimi i Dodajt erdhi pas largimit të Imzot George Frendo, i cili mbajti postin për 5 vite nga emërimi i tij më 17 nëntor 2016.

Imzot Arjan Dodaj, lindi në Laç të Kurbinit, në Kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, më 21 janar 1977. Në vitin 1993, pasi kishte kryer shkollën e mesme në qytetin e lindjes, emigroi në Itali. U vendos në Cuneo, ku nisi të punojë.

Më 1977 kërkoi të pranohej në Vëllazërinë Meshtarake të Bijve të Kryqit, pranë Bashkësisë “Shtëpia e Marisë”, në Romë. Në rrugën e përgatitjes për meshtari, nisi studimet e filozofisë e të teologjisë pranë Universitetit Papnor “Mbretëresha e Apostujve” ku mori titullin e Bakalaureatit.

U shugurua meshtar më 11 maj 2003 nga Papa Gjon Pali II, në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe u inkardinua në Dioqezën e Romës, si anëtar i Vëllazërisë meshtarake të Bijve të Kryqit, në bashkësinë ” Shtëpia e Marisë”.

Pas shugurimit meshtarak kreu detyra të ndryshme baritore. Nga 2003 deri më 2004 ishte zëvëndës-famullitar në Famullinë “Shën Domenico Guzman”, në Romë; nga 2004 deri më 2005, Zëvendës-Rektor i Rektorisë  së “San Giovanni della Malva” dhe Kapelan i bashkësisë shqiptare në Romë; nga 2005 deri më 2017, zëvendës famullitar i Famullisë “Shën Rafaeli Kryeengjëll”, në Romë.

Më 2017, me miratimin e ipeshkvit të vet, Kardinalit-Mëkëmës të Shenjtërisë së Tij për Dioqezin e Romës, u transferua si meshtar fidei donum në Kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, ku kreu këto detyra baritore: Mëkëmës i përgjithshëm, Famullitar i famullisë të “Zemrës së Papërlyer  të Zojës Mbretëreshë” në Gramëz; Drejtues i baritorisë universitare; Sekretar i dytë i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare dhe sekretar i përgjithshëm i Sinodit dioqezan.

Reagon Edi Rama

Pas emërimit ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili shkruan se Papa zgjodhi një shqiptar të lindur dhe rritur në Shqipëri.

“Papa Françesku emëron një Arqipeshkv shqiptar të lindur e rritur në Shqipëri, në krye të Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës. Urime ARJAN DODAJ dhe Zoti qoftë me Ju në këtë mision kaq fisnik”, shkruan Rama.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.