Paralajmëron i fortë nga mjeku: Kujdes me ushqimet krudo
Mjeku gastrohepatolog Gerald Kola, i ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, foli për përhapjen gjithnjë e më të shpeshtë të gastroenteriteve dhe shkaqet që çojnë në këtë sëmundje të traktit tretës.
Ai theksoi se gastroenteritet nuk janë më thjesht një fenomen sezonal, por një inflamacion i stomakut dhe zorrëve, që mund të shkaktohet nga viruse, baktere, parazitë, apo edhe si pasojë e përdorimit të medikamenteve, sidomos antibiotikëve.
“Tek fëmijët janë më të zakonshme nga viruset, ndërsa tek të rriturit shpesh nga bakteret si salmonela apo parazitë si lambia. Edhe ushqimet krudo paraqesin rrezikshmëri shumë të lartë për zhvillimin e gastroenteriteve,” tha mjeku Kola.
Ai shpjegoi se sëmundja në shumicën e rasteve zhduket brenda 3 deri në 7 ditësh, por gjatë kësaj kohe është thelbësore të kemi kujdes me dehidratimin, sidomos në moshat e reja dhe të moshuarit.
Simptomat kryesore janë diarreja dhe të vjellat, dhe sëmundja diagnostikohet klinikisht, pa qenë e nevojshme ndërhyrja me analiza specifike në fazën e parë.
“Nëse gastroenteriti zgjat më shumë se tre ditë, duhet t’i drejtohemi mjekut. Në rastet e zakonshme, nuk rekomandohen ilaçe. Duhet të përdoren elektrolite nga goja, për të shmangur dehidratimin. Frenuesit e diarresë nuk duhen përdorur, pasi trupi përpiqet të pastrojë vetveten duke nxjerrë toksinat jashtë. Është një proces natyral pastrimi, që nuk duhet ndalur, përveç në rastet kur ka një natyrë autoimune,” – tha mjeku.
Ai shtoi se në vend të barnave, metodat natyrale janë më të këshillueshme.
“Një zgjidhje e mirë është për shembull rigoni me vezë, pasi është efektiv dhe pa efekte anësore,” përfundoi Dr. Kola.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



