Pas Ballukut, Rama del e bën ‘avokatin’ e Mirlinda Karçanajt
Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë publikisht hetimin e SPAK lidhur me tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), si edhe skandalin e fundit që ka vënë këtë institucion në qendër të vëmendjes.
Gjatë podkastit “FLASIM”, Rama deklaroi se AKSHI ndodhet aktualisht nën hetim për mënyrën e përdorimit të fondeve publike, ndërsa në fokus të procedimit penal është vendosur Mirlinda Karçanai, e cila për më shumë se një dekadë ka drejtuar procesin e transformimit digjital të shtetit shqiptar.
Sipas kryeministrit, Karçanai ka qenë një nga figurat kyçe në zbatimin e vizionit qeverisës për digjitalizimin e shërbimeve publike, duke kontribuar për 12 vite me radhë me angazhim, dije dhe përkushtim profesional. Ai theksoi se aktualisht ajo ndodhet nën masë sigurie për një akuzë të rëndë, por nënvizoi se zbardhja e së vërtetës nuk mund të vijë nga spekulimet politike apo mediatike.
Rama theksoi se vetëm drejtësia mund të japë verdiktin përfundimtar, ndërsa sulmoi ashpër, siç u shpreh ai, zhurmën e krijuar nga politika dhe mediat, të cilat po e paragjykojnë çështjen.
“AKSHI sot po hetohet nga SPAK për përdorimin e fondeve dhe Mirlinda Karçanai, e cila ka udhëhequr jetësimin e vizionit tonë për transformimin digjital të qeverisjes, ndodhet nën masë sigurie për një akuzë tejet të rëndë. Për këtë duhet pritur me durim vetëm vendimi i drejtësisë dhe jo gjykimi i ‘700 tenxhereve të çorbës politike dhe mediatike’. E vërteta e saj do të dalë vetëm nga drejtësia”, deklaroi Rama.
Në të njëjtën kohë, kryeministri vlerësoi punën e bërë ndër vite nga Karçanai dhe stafi i AKSHI-t, duke theksuar se falë tyre Shqipëria ka bërë një hap të madh përpara në procesin e digjitalizimit të shërbimeve shtetërore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



