Pas Dacit rrezikojnë edhe 2 të tjerë, ka të dhëna kompromentuese për…
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion la dje në fuqi vendimin për pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), Luan Daci.
Ky i fundit akuzohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK), se ka falsifikuar dokumentet gjatë aplikimit të tij për pozicionin si gjyqtar i KPA-së.
Në akuzën e SPAK ndaj gjyqtarit Daci thuhet se ish-anëtari i KPA nuk ka treguar të vërtetën në lidhje me një masë disiplinore që është marrë ndaj tij në vitin 1997.
Daci ka thënë se është larguar në 1997 nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë për arsye politike, por në të vërtetë, SPAK ka zbuluar se ai është larguar për paaftësi dhe shkelje të ligjit.
HETIMI
Por Luan Daci duket se nuk do të jetë i vetmi që do të largohet nga institucionet e vetingut. Sipas burimeve të gazetës “Panorama” në ditët e ardhshme pritet të publikohen të dhëna komprometuese edhe për dy gjyqtarë të tjerë në organet e vetingut.
Njëri prej tyre që rrezikon, është në Shkallën e Parë dhe është anëtar i KPK-së, ndërsa tjetri është sërish një tjetër anëtar i KPA-së.
Pra, përveç Dacit, rrezikojnë të pezullohen edhe dy anëtarë të tjerë, duke e çuar në 3, numrin e gjyqtarëve në organet e vetingut që dalin të papërshtatshëm për të ushtruar detyrën e tyre.
KOMPROMETIMI I PROCESIT
Pezullimi i Luan Dacit nga pozicioni i tij pas hetimit që bëri SPAK u iniciua nga prokurorja Antoneta Sevdari, e cila u kualifikua nga Shkalla e Parë e vetingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por u skualifikua në shkallën e dytë, pasi Kolegji i Apelimit, ku është anëtar edhe Daci, e shkarkoi nga detyra.
Daci, që nga momenti që mori detyrën si gjyqtar i KPA, ka vendosur për përjashtimin nga sistemi i drejtësisë të disa gjykatësve, të cilëve tashmë mund t’u lind e drejta që të kërkojnë pavlefshmëri për vendimin që është marrë për ta. Për më tepër, në rast se do të dalin edhe dy rastet e gjyqtarëve të tjerë, njëri në KPA dhe tjetri në KPK, të gjitha vendimet e marra nga organet e vetingut mund të vihen në diskutim.
Për më tepër, përjashtimi i Sevdarit nga sistemi i drejtësisë, tashmë është ankimuar në Gjykatën e Strasburgut. Dhe në rast se kjo e fundit do të rrëzonte vendimin e KPA, duke i bashkuar pezullimin e Dacit nga kjo trupë, do të vinte shumë në rrezik gjithë besueshmërinë e këtij procesi, që deri më tani ka nxjerr një numër të madh gjyqtarësh nga sistemi i drejtësisë.
I gjithë ky diskutim, dhe dyshimet që po qarkullojnë, vjen në një kohë kur prej disa muajsh tashmë, për shkak të Pandemisë së COVID-19, vetingu është pezulluar, pasi nuk lejohen seancat gjyqësore me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



