E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pasi mbolli Tiranën me kulla, vizioni i marrë po infekton edhe qytetin e bukur të veriut…
Lajme

Pasi mbolli Tiranën me kulla, vizioni i marrë po infekton edhe qytetin e bukur të veriut…

 Beti Njuma

Nuk e di në ç’rrethanë, por nga paraardhësit tanë na ka mbërritur një shprehje: “Budallain mbaje brenda shtëpisë!” Nuk më vjen në mendje analogji tjetër veç kësaj urtie popullore për marrëzinë e radhës me kullat, këtë herë në Shkodër.

Pasi e mbolli Tiranën me kulla, vizioni i marrë po infekton edhe qytetin e bukur të veriut, që s’ka e s’mund të ketë asnjë lidhje me arkitekturën dubaiane që po imponon Edi Rama me dhunën e diktatorit të gjithëpushtetshëm të Shqipërisë.

Në Shkodrën sizmike, kryebashkiaku i Shqipërisë miratoi kullën më të re, duke harruar se qyteti ndodhet pranë vijës ndarëse mes pllakave tektonike dhe është ndër më të rrezikuarat nga tërmetet. Mjafton të kujtojmë tërmetin e vitit 1979, me magnitutë 7.0, me qendër Tivarin dhe Ulqinin, i cili shkaktoi dëme të mëdha në Shkodër, për të kuptuar se qyteti as nga pikëpamja sizmike nuk është i përshtatshëm për rrokaqiej.

Natyrisht, do thoni ju, edhe në Japoni ka tërmete, por cilësia e ndërtimeve dhe zbatimi i ligjeve atje janë galaktika larg Shqipërisë. Përgjegjshmëria e ndërtuesve gjithashtu. Mjafton t’ju kujtoj disa kulla në Tiranë, që tjetër janë miratuar në projekt e tjetër po zbatohen. Kulla më e madhe deri tani në vend, Down Town, flitet se nuk merr dot firmën e arkitektit Winy Maas, pasi në rrugë e sipër ka ndryshuar projektin. Gjëja më e dukshme janë katet dhe fasada, por një Zot e di çfarë ka ndryshuar brenda.

E pra, të tilla kulla kryebashkiaku Rama po ia imponon gjithë Shqipërisë, duke e ekspozuar budallanë në çdo qytet! Me këtë intensitet marrëzie, nuk është e largët dita që në këmbët e Mangalemit në Berat apo tek Qafa e Pazarit në Gjirokastër të ngrihet një kullë.

Këtu s’po e përfshij Krujën, se ajo ka vite që budallain e vet e ka ngritur dhe ia shfaq çdo turisti që shkon për Skënderbeun e gjen zdapa nga këto të Ramës.

Nëse vazhdojmë kështu, shumë shpejt budallain nuk do ta mbajmë dot më brenda shtëpisë. Me këtë ritëm, po e ekspozojmë në çdo cep të Shqipërisë, ndërsa qytetet tona historike humbin karakterin e tyre dhe mbushen me kulla që as nuk i përkasin, as nuk i përshtaten realitetit dhe trashëgimisë tonë. Një ditë, kur të jetë tepër vonë, ndoshta do kujtohemi për urtinë e të parëve dhe do kuptojmë se budallain duhej ta kishim mbajtur brenda shtëpisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.