Pasojat nga moti i keq, përplasen dy anije pasagjerësh në Pire
Dy anije pasagjerësh janë përplasur në portin e Pireut gjatë orëve të para të mëngjesit të së enjtes, si pasojë e erërave të forta dhe kushteve të përkeqësuara atmosferike që kanë përfshirë vendin.
Sipas njoftimit të Rojës Bregdetare, incidenti ndodhi në momentin kur një prej trageteve po kryente manovrat për t’u ankoruar në bankinë. Për shkak të forcës së erës, anija humbi kontrollin e plotë dhe u përplas me një tjetër traget që ndodhej i ankoruar prej më herët.
Nga përplasja nuk janë raportuar persona të lënduar, ndërsa dëmet e shkaktuara janë të lehta dhe kryesisht materiale.
Ndërkohë, situata në portet detare të vendit vijon të jetë problematike, pasi erërat e fuqishme që fryjnë në pothuajse të gjithë territorin kanë detyruar autoritetet të ndalojnë lundrimin e shumicës së trageteve që lidhin Greqinë kontinentale me ishujt.
Instituti Meteorologjik ka paralajmëruar se në shumë zona detare intensiteti i erës pritet të arrijë deri në 9–10 ballë det, ndërsa moti i keq i shoqëruar me reshje do të prekë pjesën më të madhe të vendit.
Në këtë kuadër, Mbrojtja Civile u ka bërë thirrje banorëve dhe udhëtarëve në rajonin e Epirit, në ishujt Jonianë dhe në Trakën Lindore të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë 24 orëve në vijim, për shkak të rrezikut që paraqesin kushtet ekstreme të motit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



