E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Patriarku i Moskës vjen në Shqipëri, blindohet Tirana
Lajme

Patriarku i Moskës vjen në Shqipëri, blindohet Tirana

Kjo vizitë e parë paqësore dhe historike ka një rëndësi të veçantë, pasi të dyja Kishat kanë përjetuar një persekutim të egër komunisto-ateist.

AXHENDA E PLOTE ZYRTARE:

Nga data 28-30 prill, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të presë Fortlumturinë dhe Shenjtërinë e Tij, Patriarkun e Moskës dhe të Gjithë Rusive, Kirillin. Kjo vizitë e parë paqësore dhe historike ka një rëndësi të veçantë, pasi të dyja Kishat kanë përjetuar një persekutim të egër komunisto-ateist.
Të shtunën, më 28 prill 2018, ora 16:00, Kryepiskopi Anastas, i shoqëruar nga anëtarët e Sinodit të Shenjtë, do të presë Patriarkun Kirill në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Më pas do të vijojë Dhoksologjia zyrtare në Katedralen e Hirshme “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë.

Ditën e diel, më 29 prill, në mëngjes, të dy Primatët e Kishave do të bashkëmeshojnë në Katedralen e Hirshme “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, me pjesëmarrjen e klerikëve të të dyja Kishave.
Më pas, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të shtrojë drekën zyrtare në MAK Albania Hotel.
Pasdite, ora 18:00, do të jepet shfaqja festive në Qendrën Kulturore të Kishës Katedrale. Në fillim do të kryhet prezantimi i botimit në rusisht të librit të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, “Deri në skajet e dheut”. Në Liturgjinë Hyjnore dhe në shfaqjen festive do të marrë pjesë edhe Kori Sinodal i Patriarkanës së Moskës.
Në mbrëmjen e së dielës, Shkëlqesia e Tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, do të shtrojë një darkë në Pallatin e Brigadave.

Të hënën, më 30 prill, Patriarku Kirill do të ketë takime zyrtare, në Selinë e Presidencës, me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, si dhe në Selinë e Kryeministrisë, me Shkëlqesinë e Tij, Kryeministrin, z. Edi Rama. Në fund do të vizitojë Manastirin e Shën Vlashit, Durrës dhe Akademinë Orthodhokse Theologjike “Ngjallja e Krishtit”. Largimi i vizitorit të lartë parashikohet në orën 14.00, nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, ka vizituar zyrtarisht Kishën Orthodhokse të Rusisë më 1999. Në Moskë, në një ceremoni zyrtare në Qendrën Kulturore të Kishës Katedrale të Shpëtimtarit, Kryepiskopi Anastas është nderuar me Çmimin “Për kontribut të shquar për unitetin e Orthodhoksëve” (2008).

Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.