PD dhe PD bashkojnë votat, miratojnë projektligji për Bordin e Paqes
Projektligji për Bordin e Paqes ka marrë miratimin në Komisionin për Politikën e Jashtme të Kuvendit, ku u votua me 13 vota pro.
Gjatë mbledhjes së komisionit, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, theksoi se nisma ligjore është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me legjislacionin në fuqi për marrëveshjet ndërkombëtare.
Sipas saj, përfshirja në këtë partneritet përbën një element kyç të politikës së jashtme shqiptare dhe një garanci të qartë për orientimin euroatlantik të vendit.
“Ky partneritet mbetet shtylla kryesore e politikës së jashtme dhe garanci për orientimin euroatlantik të vendit. Nga pikëpamja ligjore dhe kushtetuese, projektligji është në përputhje me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe me ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare. Karta e Bordit të Paqes parashikon se asnjë shtet nuk detyrohet të marrë pjesë në misione pa pëlqimin e tij dhe se sovraniteti kombëtar mbetet i paprekur. Shtetet mund të përfaqësohen në bord nga kreu i shtetit ose kreu i qeverisë, ndërsa mandati i çdo anëtari është trevjeçar, me mundësi rinovimi nga kryetari i Bordit të Paqes”, u shpreh Spiropali.
Ministrja e Jashtme sqaroi gjithashtu se në këtë fazë, projektligji nuk parashikon kosto shtesë për buxhetin e shtetit.
“Kontributet do të jenë vullnetare dhe do të planifikohen në mënyrë transparente në buxhetin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, në përputhje me standardet buxhetore afatmesme. Akti është hartuar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, mbi bazën e informacionit të përcjellë nga Ambasada e Shqipërisë në Uashington”, shtoi ajo.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



