PD: Rama bën diversion, s’ndalemi në betejën tonë
Partia Demokratike reagoi pasi kryeministri Edi Rama deklaroi se mbetet i hapur për bashkëpunim me opozitën.
Ai më tej tha se mund të diskutojë me PD-në për zgjedhjen e presidentit të ri, pas shkarkimit të Ilir Metës.
Sipas PD, këto janë diversione për të hequr vëmendjen nga manipulimi i votave. “Edi Rama është autori i masakrës elektorale dhe tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve për ndryshim. Me qëllim që të largojë vëmendjen ai vazhdon gënjeshtrat, manipulimet dhe diversionet. Vjedhja e zgjedhjeve nga Rama-Doshi-Rakipi e çuan vendin tonë drejt një masakre masive elektorale, ku viktimat janë qytetarët shqiptarë dhe e ardhmja e tyre. Detyra jonë ndaj shqiptarëve është të qëndrojmë të vendosur dhe të luftojmë fort për kthimin e demokracisë në vend. Asnjë diversion nuk do të na ndalë në këtë betejë, duke filluar me shpalosjen e fakteve, provave dhe të dhënave që dëshmojnë përmasën e plotë të masakrës zgjedhore nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi,” thuhet në deklaratën e PD.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



