Për të qarë apo për të qeshur? Gjykatës Administrative i del ‘pronari’
Ajo që zgjidh konfliktet e pronës, ngec te prona e saj
Trualli me mbivendosje pronësie, rrezikohet projekti i godinës së re
Një situatë paradoksale është krijuar rreth projektit për ndërtimin e godinës së re të Gjykatës Administrative në Tiranë, pasi trualli ku është planifikuar realizimi i saj rezulton të ketë probleme me dokumentacionin e pronësisë dhe mbivendosje të pretendimeve.
Institucioni që çdo ditë shqyrton mosmarrëveshje administrative dhe çështje të shumta që lidhen me pronat, tashmë përballet vetë me një problematikë të ngjashme, e cila po pengon avancimin e projektit të ri.
Sipas dokumenteve të siguruara, çështja lidhet me mungesën e përfundimit të procedurave për dokumentacionin e pronësisë së truallit, duke bërë që procesi për ndërtimin e godinës të mbetet në pritje.
Edhe pse në projekt-buxhetin afatmesëm 2027–2029 janë parashikuar fondet për realizimin e godinës së re, vijimi i procedurave është i varur nga zgjidhja përfundimtare e situatës juridike të pronës.
Në një procesverbal të mbledhjes së Këshillit të Gjykatës Administrative bëhet me dije se drejtuesit e institucionit kanë diskutuar problematikën e dokumentacionit të truallit, duke evidentuar se aktualisht ekziston një çështje mbivendosjeje pronësie.
Sipas dokumentit, Gjykata ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Drejtësisë për rifreskimin e dokumentacionit dhe pajisjen me certifikatën përkatëse të pronësisë, por deri në momentin e mbledhjes nuk është marrë ende konfirmimi zyrtar për përfundimin e procedurave.
Në dokument thuhet se aplikimi për përditësimin e dokumentacionit të pronësisë është kryer, por institucioni ende nuk ka në dispozicion aktet përfundimtare që do të mundësonin vijimin normal të projektit.
Kjo situatë rrezikon të shkaktojë vonesa në ndërtimin e godinës së re dhe mund të ndikojë në zbatimin e planit të investimit të parashikuar për këtë qëllim.
Këshilli i Gjykatës Administrative ka vlerësuar se zgjidhja e çështjes së pronësisë së truallit është një kusht i domosdoshëm për të vijuar me hapat e mëtejshëm të projektit, duke mbetur në pritje të dokumentacionit të plotë nga institucionet përgjegjëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




