Zhbllokohen pagat e magjistratëve, duke nisur nga GJKKO-ja
Pagat e stafit të Gjykatës së Posaçme janë zhbllokuar nga Thesari i Tiranës, pas një bllokimi që zgjati 14 ditë.
Sipas burimeve, vendimi është marrë me argumentin se po zbatohet një vendim gjykate me karakter detyrues, i vendosur si masë sigurie. Në bazë të këtij vendimi, Thesari ka vijuar me zhbllokimin e fondeve për pagat e Gjykatës së Posaçme.
Pagat tashmë janë përllogaritur me vlerat e reja, ndërsa pritet që kalimi i tyre në llogaritë bankare të stafit të bëhet ditën e martë, më 15 shtator.
Megjithatë, deri në këto momente nuk ka një konfirmim zyrtar lidhur me procesin. Burimet sqarojnë se zhbllokimi i fondeve nuk do të shtrihet në mënyrë të njëjtë për të gjithë magjistratët, por do të aplikohet për ata që kanë përfituar një masë sigurie nga gjykata administrative.
Çështja lidhet me përplasjen e krijuar rreth pagave të magjistratëve dhe zbatimit të vendimeve gjyqësore, ndërsa zhbllokimi i fondeve pritet të pasohet nga kalimi i pagave në bankë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



