Për të vënë duart në kokë
Elona Caslli|Opinion|Publik.al
Akti i të vënit duart në kokë, ndodh ose kur njeriut i ka ndodhur një dramë shumë e madhe, ose kur përballet me një situatë që është përtej kufijve të imagjinatës.
Duket sikur në mënyrë të pavetëdijshme njeriu, që vë duart në kokë, e bën si një akt mbrojteje për kokën në mënyrë që ajo të mos shpërthejë nga dhimbja ose habia e madhe.
Ajo ,që ndodhi dje në Parlamentin e Shqipërisë, ishte për të vënë duart në kokë dhe jo vetëm trupi diplomatik që ishte i pranishëm në sallë, por çdo shqiptar që mendon për të menduar dhe jo veçse për t’u ushqyer, ka vënë duart në kokë.
Vēnia e duarve mbi kokë dhe frika se koka do të shkëputet nga qafa ndodhin kur sheh një kryeministër që mandatin e katërt qeverisës e hap me një Sajesë Artificiale të quajtur Diella e cila flet me gojën e kryeministrit.
Sajesa artificiale, që është ministre e kabinetit qeveritar, shoqërohet edhe me kërcënimet e kryeministrit ndaj çdo deputeti të opozitës që nuk dëgjon me vëmendje fjalimin e Diellës.
” Mbylleni gojën ose e kaloj programin qeverisës direkt në votim.”- kërcënon kryeministri i Shqipërisë, njësoj si kujdestarët e klasës dikur që shihnin bankë më bankë nëse nxënësit i kishin prerē thojtë dhe a kishin shami të hekurosur me vete.
Me pak fjalë, kryeministri poshtëron të gjithë trupin diplomatik, deputetët e opozitës dhe taksapaguesit shqiptarë me sajesën e tij artificiale dhe pret që askush mos të pipëtijë dhe të revoltohet, përndryshe ai seancën maratonë ku do të prezantohej programi qeverisês për 4 vitet e ardhshme, e shndërron në një ngritje kartonash prej 5 minutash.
Dhe ashtu ndodhi. Seanca maratonê zgjati 5 minuta.
Disa pyetje lindin natyrshëm për trupin diplomatik që ishte i pranishëm në sallë:
A ndodh diçka e tillë në shtetet që përfaqësojnë secili prej tyre?!
A ndodh që kryeministri të hapë seancën e parë parlamentare të mandatit të ri qeverisës me një sajesë artificiale që ndër të tjera pretendon se edhe mund të lëndohet shpirtërisht?!
A ndodh që kryeministri të sillet si një edukator i zymtë kopshti që një mëngjes është gdhirë me dhimbje koke dhe u thotë fëmijëve burra dhe gra të opozitës dhe trupit diplomatik : Dëgjoni sajesën time artificiale dhe mos bëni zhurmë se më dhemb koka” ?
Kjo nuk ndodh askund në Evropë e për sa kohë nuk ndodh askund, nuk ka asnjë arsye të vlefshme që të ndodhë në Shqipëri. Pasaporta Evropiane është përmbushje standardesh para se të jetë kryefjalë e një programi qeverisës.
Post Scriptum- Trupi diplomatik do të vërë duart në kokë dhe do të heshtë, apo do të vërë duart në kokë dhe do të flasë?! E bëj këtë pyetje sepse shpeshherë heshtja e faktorit ndërkombëtar ka qenë për të vënë duart në kokë.
U
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



