Përcillet në banesën e fundit 7-vjeçari që u përplas nga Petri Bozo
Një tragjedi e rëndë ka tronditur Elbasan dhe mbarë opinionin publik, pas humbjes së jetës së 7-vjeçarit Algit Samurri në fshatin Mengël. Mes dhimbjes së madhe dhe lotëve të familjarëve, vogëlushi është përcjellë për në banesën e fundit paraditen e kësaj të marte.
Ngjarja tragjike ndodhi mesditën e së hënës në aksin rrugor Elbasan–Librazhd, pranë shkollës së fshatit, një zonë që prej kohësh konsiderohet problematike për sigurinë rrugore. Sipas dëshmive, i mituri po kalonte rrugën së bashku me nënën e tij, kur për një moment i ka shpëtuar vëmendjes së saj dhe ka dalë papritur në rrugë.
Në atë çast, ai është përplasur nga një automjet i drejtuar nga regjisori Petri Bozo, duke humbur jetën në vend. Menjëherë pas aksidentit, Bozo është shoqëruar nga policia dhe më pas është arrestuar për veprime të mëtejshme procedurale.
Në dëshminë e tij paraprake, regjisori ka shprehur tronditjen e thellë për ngjarjen dhe ka deklaruar se nuk po lëvizte me shpejtësi mbi normat e lejuara në momentin kur fëmija i është shfaqur papritur përpara mjetit.
Kjo tragjedi ka rikthyer në vëmendje shqetësimin e madh të banorëve të zonës, të cilët e cilësojnë këtë aks rrugor si një ndër më të rrezikshmit. Ata shprehen se mungesa e masave të sigurisë dhe shpejtësia e lartë e automjeteve e kanë kthyer këtë segment në një “rrugë vdekjeje”.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet për vendosjen e sinjalistikës së duhur, kufizimin e shpejtësisë dhe masa të tjera mbrojtëse, veçanërisht pranë shkollave, për të shmangur përsëritjen e tragjedive të tilla.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



