VIDEO/ Koha kur Petri Bozo e pranonte se ka bërë 20 aksidente
Regjisori: I jap shpejt makinës por asnjëherë s’ka qenë për fajin tim
Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Elbasanit, ku një aksident rrugor i ka marrë jetën një fëmije 7-vjeçar. Pas ngjarjes, autoritetet kanë vënë në pranga regjisorin e njohur Petri Bozo, i cili dyshohet se ishte drejtuesi i automjetit që shkaktoi aksidentin fatal.
Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ndodhi të hënën rreth orës 08:00 në aksin nacional Elbasan–Librazhd, në afërsi të fshatit Mengël. Viktima e mitur u përplas nga automjeti i drejtuar nga Bozo, duke humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
Fillimisht, regjisori ka deklaruar në polici se nuk po lëvizte me shpejtësi, por hetimet paraprake dhe dyshimet e autoriteteve sugjerojnë të kundërtën. Për këtë arsye, ndaj tij është caktuar masa e arrestit me burg, ndërsa vijojnë verifikimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.
Ngjarja ka ndodhur pranë shkollës 9-vjeçare “Sulejman Rranci”, ku fëmija kishte shoqëruar motrën së bashku me nënën. Sipas dëshmive paraprake, pasi kishin lënë vajzën në shkollë, nëna dhe djali ishin nisur drejt një dyqani pranë zonës. Në ato momente, dyshohet se i mituri është shkëputur nga dora e së ëmës dhe ka dalë në rrugë, ku është përplasur nga automjeti.
Dinamika e plotë e aksidentit mbetet ende në hetim, ndërsa policia pritet të japë një version të detajuar pas përfundimit të ekspertizave përkatëse.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje edhe një deklaratë të mëparshme të regjisorit, i cili në një intervistë televizive kishte rrëfyer se gjatë jetës së tij kishte qenë i përfshirë në mbi 20 aksidente rrugore, megjithëse vetëm një prej tyre kishte paraqitur rrezik real për jetën.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore dhe për të sqaruar çdo element që lidhet me këtë aksident tragjik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



