Përjashtimi i gazetarëve nga konferenca e Ramës, reagon UGSH
“Liria e medias dhe e shprehjes janë gurë themeli të demokracisë”
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar me shqetësim pas deklaratave dhe qëndrimit të mbajtur nga Kryeministri Edi Rama gjatë një konference për shtyp, duke i cilësuar ato si problematike për marrëdhënien institucionale mes qeverisë dhe mediave.
Në një reagim publik, organizata dënon vendimin për përjashtimin nga konferencat për shtyp të gazetares Ambrozia Meta, duke e cilësuar këtë një precedent shqetësues për kufizimin e aksesit të gazetarëve në informacion publik. Sipas AGSH, përjashtimi selektiv i përfaqësuesve të mediave nga aktivitetet institucionale rrezikon të dëmtojë transparencën dhe standardet e komunikimit publik.
Po ashtu, organizata e gazetarëve reagoi edhe për largimin nga aktiviteti të gazetarit Isa Myzyraj, duke e konsideruar këtë veprim të papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet e respektit institucional ndaj medias.
Sipas AGSH, shqetësuese është edhe gjuha e përdorur nga kryeministri ndaj mediave gjatë komunikimit publik. Organizata thekson se përdorimi i etiketimeve denigruese apo akuzave të përgjithshme ndaj mediave krijon një klimë presioni dhe delegjitimimi ndaj mediave kritike.
Në reagimin e saj, organizata nënvizon se në një shtet demokratik çdo pretendim për shkelje ligjore nga ana e mediave duhet të trajtohet nga institucionet e drejtësisë dhe jo të artikulohet në mënyrë të përgjithshme në konferenca për shtyp nga përfaqësues të pushtetit ekzekutiv.
AGSH rikujton gjithashtu se liria e medias dhe e shprehjes janë parime themelore të një shoqërie demokratike dhe mbrohen si nga Kushtetuta e Shqipërisë ashtu edhe nga standardet europiane për të drejtat e njeriut.
Në përfundim të reagimit, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë u bën thirrje institucioneve shtetërore dhe zyrtarëve publikë që të tregojnë përgjegjësi në komunikimin me median, të shmangin gjuhën denigruese dhe të garantojnë akses të barabartë për të gjithë gazetarët në aktivitetet publike.
Reagimi i plotë:
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka ndjekur me shqetësim të thellë konferencën për shtyp të mbajtur nga Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, gjatë së cilës u shfaqën sjellje dhe deklarata që cenojnë standardet bazë të komunikimit institucional me median dhe respektin ndaj punës së gazetarëve.
AGSH dënon përjashtimin përgjithmonë të gazetares Ambrozia Meta nga konferenca për shtyp, një veprim që përbën një precedent të rrezikshëm për kufizimin e aksesit të gazetarëve në informacion publik dhe përjashtimin selektiv të mediave nga aktivitetet institucionale.
Po ashtu, AGSH konsideron të papranueshëm sulmin verbal dhe përjashtimin nga konferenca të gazetarit Isa Myzyraj, një veprim që bie ndesh me parimet e respektit institucional dhe me standardet demokratike të komunikimit me median.
Në të njëjtën linjë, përdorimi nga Kryeministri i termave denigruese si “tenxhere” apo akuzat publike se disa “media pastrojnë para” janë deklarata problematike kur vijnë nga një zyrtar i nivelit më të lartë ekzekutiv në vend. Të tilla etiketime jo vetëm që dëmtojnë klimën e dialogut mes institucioneve dhe medias, por krijojnë edhe një atmosferë presioni dhe delegjitimimi ndaj mediave kritike.
Në një shtet demokratik, çdo pretendim për shkelje ligjore nga ana e mediave duhet të trajtohet nga organet kompetente të drejtësisë, në bazë të ligjit dhe procedurave të rregullta. Politikanët, përfshirë Kryeministrin, nuk mund dhe nuk duhet të përdorin konferencat për shtyp për të lëshuar akuza të përgjithshme apo për të nxitur institucione të drejtësisë kundër mediave.
AGSH rikujton se liria e medias dhe e shprehjes janë gurë themeli të demokracisë, të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Qeveria dhe të gjithë zyrtarët publikë kanë detyrimin të respektojnë rolin kritik të medias. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i bën thirrje Kryeministrit dhe çdo zyrtari publik që të tregojnë përgjegjësi institucionale në komunikimin me median, të shmangin gjuhën denigruese dhe të garantojnë akses të barabartë për të gjithë gazetarët në aktivitetet publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



