Përplasja e ‘neomalësores’ me Bajrat, reagon PS: Shko në polici!
Në mbledhjen e Komisionit për Politikën e Jashtme u vu re mungesa e deputetes Marjana Koçeku, e cila është njëkohësisht anëtare dhe sekretare e këtij komisioni. Megjithatë, një reagim i saj në rrjetet sociale, ku ajo aludon për kërcënime nga persona të lidhur me grupin e Barajve, ndezi debat të fortë mes përfaqësuesve politikë.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike kërkuan një qëndrim të qartë publik dhe distancim nga situata, ndërsa nga ana tjetër, përfaqësuesit e Partisë Socialiste theksuan se çdo pretendim duhet të trajtohet përmes institucioneve ligjzbatuese.
Gjatë diskutimeve, deputetja Albana Vokshi ngriti shqetësimin për seriozitetin e situatës, duke deklaruar: “Si është e mundur, nëse është e vërtetë që një deputete të kërcënohet? Nëse Marjanës i shkojnë Bajrajt, mua më kanë ardhur Xhabaftët. Nëse Rama i quan protestuesit fashiste, normal që mbillet përçarje e urrejtje. Ne në këtë komision nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Rama duhet të dalë të distancohet. Të gjithë ju duhet të distancoheni nga kërcënimi i një kolegeje.”
Nga ana e tij, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, reagoi duke theksuar rëndësinë e ndjekjes së procedurave ligjore: “Çdo gjë tjetër është për konsum. Ne do të vazhdojmë të forcojmë dhe respektojmë ligjin. Kush ka kërcënime, organet kompetente janë gjithmonë aty. Të mos e përdorim këtë platformë për gjëra personale. Këtu nuk ka përfaqësues të krimit, deputetët kanë ardhur përmes votës së lirë. Kush ka indicie sa më shpejt t’i drejtohet policisë së shtetit. Nuk e kthejmë shoqërinë për postime.”
Debati u shoqërua edhe me replika mes deputetëve. Në një moment, deputetja Sara Mila iu drejtua Vokshit pa mikrofon, duke thënë: “Jam fëmijë demokracie unë, nuk jam fëmijë komunizmi si ju.”
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje tensionet politike dhe mënyrën se si trajtohen publikisht pretendimet për kërcënime ndaj përfaqësuesve të zgjedhur, duke ngritur pikëpyetje mbi rolin e institucioneve dhe diskursin politik në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



