Përplasje institucionale në Mal të Zi
Presidenti Milatoviq padit Zëvendëskryeministrin Gjeloshaj për kërcënim
Një përplasje e paprecedentë ka shpërthyer në Mal të Zi mes presidentit Jakov Milatoviq dhe zëvendëskryeministrit Nik Gjeloshaj, duke nxjerrë në pah një krizë serioze institucionale në vendin fqinj.
Përplasja nisi pas kthimit për rishqyrtim në Kuvend të Ligjit për Tatimin mbi Pasuritë e Paluajtshme nga ana e presidentit Milatoviq, një veprim që sipas kabinetit presidencial është ndjekur nga kërcënime të drejtpërdrejta nga zëvendëskryeministri Gjeloshaj.
Zyra e presidentit ka denoncuar zyrtarisht çështjen në Policinë e Shtetit dhe ka kërkuar shkarkimin urgjent të Gjeloshajt, duke e cilësuar reagimin e tij si sulm ndaj rendit kushtetues. “Çdo minutë heshtjeje është një mesazh se kërcënimet ndaj presidentit janë të pranueshme”, thuhet në deklaratë.
Sipas kabinetit të Milatoviqit, Gjeloshaj është i përfshirë në një konflikt interesi që lidhet me proceset gjyqësore të Komunës së Tuzit (që ai e drejtonte) kundër kompanisë “13 jul Plantaže”. Ligji i kthyer nga presidenti, sipas tyre, synonte të legalizonte tatime të paligjshme në favor të komunës dhe në dëm të kompanisë.
Në reagimin e tij, Gjeloshaj i hodhi poshtë akuzat si “gënjeshtra të rënda”, duke akuzuar Milatoviqin se ka kthyer ligjin për shkak të lidhjeve personale me biznesmenin Nebojsha Vuksanoviq. Ai e quajti Milatoviqin “president të rastësishëm” dhe kërcënoi me publikimin e komunikimeve të tyre nëse nuk merr falje publike.
Por Milatoviq e ka publikuar tashmë një pjesë të bisedës, ku Gjeloshaj i shkruan:
“Prit reagim të paprecedentë të shqiptarëve nga të gjitha nivelet dhe kudo që kemi ndikim.”
Presidenti i është përgjigjur:
“Fol kështu me ata me të cilët je mësuar, me mua jo.”
Ngjarja ka ngjallur reagime të forta në opinionin publik malazez dhe pritet të përshkallëzohet politikisht në ditët në vijim, duke testuar ekuilibrat kushtetues dhe etninë në qeverinë shumëkombëshe të Malit të Zi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



