Skandali seksual trondit Malin e Zi, publikohen mesazhe dhe video
Një skandal me përmbajtje intime ka shkaktuar tronditje në skenën politike të Malit të Zi, pas publikimit në rrjetet sociale të disa videove dhe fotografive që, sipas pretendimeve, lidhen me dy ish-zyrtarë të lartë shtetërorë: Mirjana Pajkoviq, ish-sekretare shteti, dhe Dejan Vukshiq, ish-drejtor i Agjencisë për Siguri Kombëtare.

Menjëherë pas shpërndarjes së materialeve, të dy kanë dhënë dorëheqje nga funksionet që ushtronin, duke nxitur reagime të shumta politike dhe debat të gjerë publik. Media serbe Kurir shkruan se çështja ka marrë përmasa të ndjeshme edhe në opinionin rajonal.

Së fundmi, janë bërë publike edhe mesazhe private që pretendohet se janë shkëmbyer mes dyshes përmes aplikacionit WhatsApp.

Pajkoviq ka depozituar kallëzim penal për shpërndarje të paautorizuar të përmbajtjes intime, duke publikuar gjithashtu fragmente bisedash dhe audiopërgjime që, sipas saj, përmbajnë kërcënime nga Vukshiq për ekspozimin e materialeve.

Nga ana e tij, Vukshiq ka mohuar çdo përfshirje, duke deklaruar se videot janë shpërndarë pa dijeninë apo pëlqimin e tij. Ai ka reaguar duke ngritur kallëzim penal ndaj Pajkoviqit, të cilën e akuzon për tentativë shantazhi.

Skandali ka hapur një debat të fortë në Mal të Zi mbi kufijtë e privatësisë, përgjegjësinë ligjore për shpërndarjen e përmbajtjes intime dhe pasojat që raste të tilla sjellin për jetën publike dhe institucionale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



