E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Përse SPAK nuk heton në rrugët Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat?
Publik News

Përse SPAK nuk heton në rrugët Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat?

Pak ditë më parë u zbulua një shkresë e policisë, e cila njoftonte nisjen e hetimeve në lidhje me vjedhjen e një pule në Kurbin. Ngjarja pa autor, kishte mobilizuar gjërësisht policinë, e cila kishte referuar rastin në Prokurori. Në pamje të parë, duket diçka normale për punën e policisë, që të krijon përshtypjen se jetojmë në një vend ku kriminaliteti është në nivelet më të ulëta. Por, ndërsa policia dhe prokuroria e Kurbinit dhe Lezhës, merren me hetimin dhe zbulimin e hajdutit të pulës, raste të bujshme korrupsioni galopant, vjedhjesh apo vrasjesh, janë të pahetuara dhe pa autor.

Të tilla janë dy koncesionet e shumëpërfolura dhe të kundërshtuara gjërësisht, Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat, PPP që kapin vlerën e qindra milione eurove.

Çmimi prej 15 milionë eurosh për kilometër, një shifër e çmendur që nuk gjendet në asnjë projekt të ngjashëm në Evropë, ka bërë që me të drejtë koncesioni i ndërtimit të Milot-Balldren, të quhet ndryshe edhe “rruga e florinjtë”.

Kontrata koncesionare ( e cila sipas zv.kryeministrit është pezulluar) për ndërtimin e 17 km rrugë Milot-Balldren, me një kosto prej 256 milionë euro për 13 vjet (por që mund të arrijë deri në 300 mln euro), ka qenë më e kundërshtuara dhe më problematikja.

Ashtu si për Milot-Balldren, edhe kontrata koncensionare për rrugën Orikum-Dukat, vlera e të cilës është 67.3 mln euro me një gjatësi prej 14.7 km, janë konstatuar disa shkelje të rënda.

Por çuditërisht, pavarësisht zhurmës së madhe dhe shkeljeve të konstatuara nga KLSH, nuk ka një hetim nga prokuroria. Më poshtë do të japim disa argumente, të mbështetura në raportin e KLSH, të cilat janë indicie të mjaftueshme për SPAK që të nisë hetimet.

Shkeljet Milot-Balldren

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) vëren se klasifikimi i ndërtimit të rrugës Milot-Balldren si autostradë është i pajustifikuar bazuar në trafikun e parashikuar në studimin e fizibilitetit. Meqenëse kontrata parashikon që ky aks të jetë i kategorisë A (pra, autostradë), kostot e ndërtimit janë rritur nga 61.5 në 140 milionë euro, theksohet në raportin e KLSH-së.

KLSH ka gjetur të dhëna të ndryshme në një tabelë që ka të njëjtin numër regjistrimi, ku vërehen qartë se si kanë ndryshuar shumat dhe afatet e financimit të segmentit nga furnitorët, duke ngritur dyshime për falsifikime.

Zyrtarisht, kompania nuk ka kapacitetet financiare që të ndërtojë një projekt të tillë.  Ndërsa ANK premton të financojë 52 milionë euro nga kapitali i vet, të dhënat zyrtare nga bilanci 2017 tregojnë se totali i aktiveve të saj është vetëm 16 milionë euro (2 miliardë lekë), ndërsa totali i kapitalit është 3.2 milionë euro. Kompania kishte të ardhura prej 16 milionë eurosh në 2017-n dhe një fitim minimal prej më pak se 1 milion euro.

Struktura e propozuar e financimit duke e krahasuar me nevojën për flukse dalëse konstatohet jo e përshtatshme, duke krijuar teprica likuiditeti të panevojshme, të cilat nga njëra anë shkaktojnë shpenzime interesi të panevojshme dhe nga ana tjetër ulin vlerën reale të kontributit të kapitalit të operatorit privat, thuhet në gjetjet e KLSH

Shkeljet në Orikum Dukat

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një auditim të thellë lidhur me kontratën për koncesionin e rrugës Orikum-Dukat ku ka konstatuar një sërë shkeljesh të rënda.

Ndër problemet e konstatura janë: Kompania ka deklaruar pamjaftueshmëri burimesh financiare për realizimin e projektit. Gjithashtu, rezulton se koncesionari ka shtrenjtuar kostot e projektit. Një tjetër shkelje, që vë në dyshim edhe vetë financimin e projektit, ka të bëjë me treguesit financiare. Nga auditimi konstatohet se janë paraqitur dy vlera të ndryshme të financimit nga koncesionari dhe furnitorët. KLSH thotë se nënshkrimi i kontratave në euro ekspozon buxhetin e shtetit në rreziqe nga humbjet e kursit të këmbimit. Kjo nënkupton se MFE i ka hapur rrugë rritjes së pagesave nga buxheti i shtetit për këtë projekt koncesionar, çka do të thotë që shqiptarët mund të paguajnë më shumë për rrugën.

KLSH ka konstatuar shkelje në studimin e fizibilitetit ku konstatohet se parashikimi i kërkesave për përdorimin e rrugës është kryer mbi të dhëna historike jo të plota, ku në disa raste përdoren të dhëna të vitit 2010.

Kostot e shpronësimit të projektit PPP rezultojnë të mos jenë parashikuar në studimin e fizibilitetit, të cilat duhet të jenë në formën e kostove të investimit për të ndodhur përpara fillimit të punimeve.

Një tjetër shkelje në koncesion është se kompania ndërtuese, sipas raportit të KLSH, ka pamjaftueshmëri burimesh për financimin e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës gjatë fazës së projektit.

Konkretisht, faza e ndërtimit dhe e mirëmbajtjes kërkon 50 575 020 euro, ndërkohë që kapitali i propozuar përfshin financimin e një investimi në shumën 49 586 864 euro, me financim 22 636 742 euro nga kapitali i kompanisë dhe 26 950 122 euro me hua nga bankat. Siç shihet ka pamjaftueshmëri burimesh financiare për realizimin e projektit, por kjo nuk e ka penguar MFE të nënshkruajë kontratën. Pamjaftueshmëri burimesh financiare konstatohen edhe për periudhën e mirëmbajtjes, ku nevojat për financime janë në shumën 7 131 787 euro ndërkohë që kapitali i propozuar për t’u injektuar nga kompania është 6 490 702 euro. Shkelje janë konstatuar edhe në procedurën që do ndiqet në vitin e parë të investimit, ku burimet e financimit në total për vitin e parë janë 9 896 189 euro, kur nevoja për flukes dalëse vlerësohet në 7 024 628 euro, duke krijuar një tepricë të panevojshme prej 2 871 651 euro. Kjo sjell një tepricë likuiditeti në vitin e parë prej 2 871 651 euro duke angazhuar shpenzime interesi të panevojshme dhe në të njëjtën kohë vendosin në diskutim kapitalin e operatorit privat.

Shtrenjtimi i kostove të projektit

Një tjetër shkelje ka të bëjë me faktin se koncesionari ka shtrenjtuar kostot e projektit, pasi vlera reale e investimit në këtë projekt është 18 milionë euro dhe jo 22 milion siç pretendon koncesionari. Nga auditimi konstatohet se është parashikuar për t’u investuar e gjithë vlera e kostos së ndërtimit duke përshfshirë edhe fitimin e operatorin privat. Kësisoj vlera e investimit është më e ulët se 22 milionë euro, pasi për pjesën e ndërtimit, subjekti do të gjenerojë fitime.

Treguesit financiarë të projektit

Një tjetër shkelje, që vë në dyshim edhe vetë financimin e projektit, ka të bëjë me treguesit financiare. Nga auditimi konstatohet se janë paraqitur dy vlera të ndryshme të financimit nga koncesionari dhe furnitorët. Konkretisht, në faqen 55 të studimit të fizibilitetit, deklarohet se koncesionari do të financojë projektin nëpërmjet 19 846 040 euro kapital të shoqërisë dhe të furnitorëve, në ndryshim nga sa ka thënë në deklarimin e burimeve të financimit ku ka deklaruar se kapitali i kompanisë dhe i furnitorëve do të jetë 22 636 722.

Të gjitha këto, janë shkelje të mjaftueshme për të nisur hetim të thelluar nga ana e SPAK, struktura ku të gjithë shqiptarët i kanë drejtuar sytë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.