PESTICIDET E NDALUARA QË HELMOJNË TAVOLINAT SHQIPTARE
“Genocid ndaj popullatës” – Shqipëria, e mbushur me produkte bujqësore të helmuara dhe institucione të paralizuara
Më 29 nëntor 2024, një ngarkesë mandarinash shqiptare u ndal në Kroaci. Arsyeja? Gjurmë të Chlorpyrifos – një pesticid i ndaluar që prej vitit 2020 në Bashkimin Evropian. Ky alarm, i lëshuar nga sistemi evropian RASFF, nuk ishte rast i izoluar. Shqipëria eksporton prodhime të kontaminuara, por më tragjike është fakti që këto produkte janë në çdo treg e tavolinë brenda vendit.
Një treg i lirë për helmimin: Janë rreth 35 lëndë pesticidesh të ndaluara që qarkullojnë lirisht në tregun shqiptar. Fermerët i blejnë pa pengesë në farmacitë bujqësore, me emra të ndryshëm tregtarë apo të ricikluar. Ministria e Bujqësisë ka pranuar zyrtarisht praninë e 7 pesticideve të ndaluara në produktet bujqësore të vitit 2024, ndërsa laboratori privat Tenius konfirmon se vetëm gjatë vitit të kaluar ka identifikuar dhjetëra raste të kontaminimeve me substanca të ndaluara në BE.
Shteti që u jep kohë tregtarëve të helmit: Ndryshe nga Bashkimi Europian që i dha 3 muaj afat për asgjësimin e pesticideve të ndaluara, Shqipëria lejoi përdorimin e tyre deri dy vite pas ndalimit të importit. Jo vetëm kaq, por lëndët helmuese qëndruan në listën “e dytë” deri në gusht të vitit 2022, duke u përdorur fshehurazi në fermat shqiptare.
Fermerët: Na i japin lirë, ne i përdorim se janë efikase. Pesticidet e ndaluara ofrohen me çmime të ulëta, shpesh si mbetje të magazinuara në vendet e BE-së, dhe “falur” tregut shqiptar. Një eksportues frutash e tha qartë: “Na i falën, i përdorëm. Fajin e ka shteti që nuk kontrollon.” Shteti nuk kontrollon asgjë, ndërsa qytetarët hanë helm pa e ditur.
Institucione që dështojnë me vetëdije: AKU, ISUV dhe institucionet përgjegjëse kanë dështuar të monitorojnë përdorimin e pesticideve për vite me radhë. Mostrat e pakta të testuara kanë dhënë përgjigje me 6-12 muaj vonesë. Në atë kohë, produktet ishin konsumuar, shitur apo eksportuar. Dështimi institucional është i dokumentuar edhe në vetë dokumentet zyrtare të ministrisë.
Inspektorati fantazmë: Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, e krijuar në 2019, ka nisur funksionin e saj real vetëm në mars 2025 – pas një urdhri të vonuar të kryeministrit. Deri atëherë, askush nuk kishte bërë inspektim në fermë për mbetje pesticidesh.
Konsumatorët të pambrojtur, shteti në gjumë: Ndërkohë që në laboratorë dalin rezultatet alarmante, në treg vazhdojnë të shiten produkte me përmbajtje të pesticideve me efekte kancerogjene, neurotoksike dhe që dëmtojnë sistemin riprodhues. Fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët janë më të rrezikuarit.
Sipas ekspertëve: Shqipëria në prag të një katastrofe shëndetësore.
Ferdi Braushi, profesor i Mjedisit pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, thotë se produktet e kontaminuara janë rrezik i vazhdueshëm për jetën. Kimisti Sokol Abazi shkon edhe më tej:
“Ky është një genocid ndaj popullsisë. Mungesë totale kontrolli. Ushqimi, uji dhe ajri janë të helmuar.”
Shteti pa kapacitete për asgjësim: PMB-të e ndaluara qëndrojnë të magazinuara në pika tregtie pa u asgjësuar për vite të tëra, për shkak të mungesës së infrastrukturës. Sipas të dhënave zyrtare, për periudhën 2017-2020 janë grumbulluar mbi 2.5 ton pesticide të tilla, të cilat rrezikojnë të përfundojnë përsëri në përdorim të paligjshëm.
Standard i dyfishtë për produktet e importit: Në vend që të kontrollohen me të njëjtat protokolle, produktet e importit trajtohen me një certifikatë origjine dhe kaq. Chlorpyrifos është identifikuar edhe në importe nga Italia dhe Greqia, por masat mbeten formale dhe sporadike.
Po helmohen shqiptarët dhe shteti hesht.
Qeveria shqiptare ka dështuar të mbrojë konsumatorin, të monitorojë zinxhirin e pesticideve dhe të garantojë sigurinë ushqimore. Në vend të veprimit, kemi alibi, vonesa dhe mjegull ligjore. Tregu është i mbushur me produkte që BE i konsideron helm për shëndetin publik, ndërsa qytetarët shqiptarë i konsumojnë pa dijeni çdo ditë.
Ky është një skandal kombëtar, një krim i heshtur që duhet të ndalojë.
Publik.al do të ndjekë çdo hallkë të kësaj zinxhiri helmues dhe do të kërkojë llogari. Sepse qytetarët kanë të drejtë të dinë çfarë po u serviret në pjatë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



