E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pjekuria e një Kombi
Publik News

Pjekuria e një Kombi

29 vite më parë Sheshi Skëndërbej do të mbushej nga shqiptarët si asnjëherë tjetër. Unë isha veçse 9 vjeç. E vetmja pamje që mund të fotografohej në mendjen e një fëmije, ishte prania e shumë njerëzve që thërrisnin diçka, të cilën ti nuk e kuptoje , por kuptoje që nga një thirrje tek tjetra, fjalët nuk ndryshonin.

Në rrëfimet e njerëzve që kanë pasur pjekurinë e duhur për ta përjetuar vizitën e Sekretarit të Shtetit Amerikan James Baker, gjen gjithmonë një pohim tragjik, i cili shoqërohet nga një ofshamë që duket sikur del nga thellësia e historisë.

Kushdo që ka qenë i pranishëm në shesh atë ditë, thotë veçse një fjali- Sa shpresë kishim!

Thonë se për të kuptuar drejt historinë, duhet plotësuar një parakusht- distanca historike, që nënkupton se duhet të kalojnë shumë vite që ta shohësh prej së largu dhe me ftohtësi çastin historik, nëse do të kuptosh domethënien e vërtetë të këtij çasti dhe ta gjykosh objektivisht këtë të fundit.

Nga fjalia tragjike – Sa shpresë kishim- kanë kaluar plot 29 vite.

Ngjarjet dhe zhvillimet gjatë 29 viteve në Shqipëri kanë qenë nga më të ndryshmet. Sukses-dështim, ndërtim-shkatërrim, burgosje- lirim, plaçkitje-dhurim, dritë- errësirë, rilindje- rivdekje. Një antonimi ngjarjesh dhe personazhesh.

Në pragun e 3 dekadave të postdiktaturës , gjendja aktuale e Shqipërisë mund të përmblidhet me tri fjali:

Flitet për Suksesin e një Reforme në Drejtësi ndonëse nuk kemi Institucione Drejtësie.

Flitet për mirëqënie ndonëse kemi shpopullim të vendit.

Flitet për luftën antikorrupsion ndonëse në 30 vite nuk kemi asnjë politikan të dënuar për korrupsion.

Është e dhimbshme të mendosh se 3 dekada mund të përmblidhen veçse në tri fjali.

Nuk ka të tashme pa një të shkuar. Nëse do të njohësh të shkuarën dhe të dish se çfarë të ka shkaktuar, atëherë vëzhgo të tashmen,e cila është pasojë e së shkuarës.

Post Scriptum- Ashtu sikurse pjekuria e një njeriu zë fill pasi ai vëren kufizimet e veta, ajo e një kombi fillon kur ndërgjegjet e tij më të kthjellta kuptojnë se dhuntitë e panumërta me të cilat mendonte se ishte i pajisur, nuk janë më të tilla dhe se njëlloj si tek kombe të tjera virtytet që ka, janë të lidhur pazgjidhshmërisht me të metat e tij, të meta për të cilat qëniet e ndershme nuk mund të mos e akuzojnë veten dhe nuk mund të mos turpërohen.Prandaj mendoj se duhet të fillojmë të jemi me të vërtetë një komb i pjekur.

Dhe duke qenë se tek e fundit me kalimin e viteve çdo njeri ka fytyrën që meriton, ngaqë është bërë jo vetëm me mishin, por edhe me shpirtin e tij , me guximin dhe frikërat e tij , me madhështinë dhe mjerimin e tij, atdheu ynë më se fundi në pjekurinë e tij, ka fytyrën që duhet të kishte, atë fytyre që i kemi gdhendur të gjithë ne dhe gjithësecili prej nesh në mishin e tij të gjallë ; politikanë apo artistë të kulluar , kodoshë apo baballarë te ndershëm, milionerë apo argatë, ateistë apo besimtarë. Kësisoj, nëse të gjithë mund t’i rivendikojmë virtytet e tij, askush mos të jetë aq maskara, sa të shpallet i pafajshëm për të këqijat e tij.

Ernesto Sabato – Shkrimtari dhe fantazmat e tij.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.