E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Plas keq në burgun e Pisës, shqiptarët u vënë flakën qelive
Bota

Plas keq në burgun e Pisës, shqiptarët u vënë flakën qelive

Rreth 40 shqiptarë përplasen me policinë pas zbulimit të pajisjeve të përgjimit

Një situatë e tensionuar është regjistruar në burgun “Don Bosco” në Pisa të Italisë, ku rreth 40 të burgosur shqiptarë janë përfshirë në një revoltë gjatë mbrëmjes së djeshme.

Ngjarja nisi pas zbulimit të pajisjeve të përgjimit që dyshohet se ishin vendosur në mënyrë të fshehtë brenda qelive. Zbulimi shkaktoi reagim të menjëhershëm nga të burgosurit, të cilët kundërshtuan mënyrën e monitorimit dhe ngritën edhe pretendime për dhunë nga efektivët.

Trazirat nisën rreth orës 19:00 dhe situata u bë edhe më e tensionuar pasi një prej të burgosurve arriti të përdorte një telefon celular në mënyrë të paligjshme për të transmetuar drejtpërdrejt në TikTok nga ambientet e burgut.

Transmetimi u ndoq nga rreth 15 mijë persona përpara se të ndërpritej. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë dëme në ambientet e institucionit, ndërsa gjatë revoltës raportohet se është shfaqur edhe zjarr.

Në videon e transmetuar dëgjohet një person duke kërkuar praninë e gazetarëve në burg, ndërsa shprehet me tone kërcënuese për situatën mes të dënuarve.

Në një tjetër moment dëgjohet një prej të burgosurve duke përdorur fyerje në gjuhën shqipe.

Gjatë materialeve filmike, të burgosurit komunikojnë si në italisht, ashtu edhe në shqip. Ata pretendojnë se janë dhunuar nga efektivët e policisë dhe shprehin kundërshtimin e tyre ndaj pajisjeve të përgjimit të zbuluara në qeli.

Përveç çështjes së përgjimit, të burgosurit kanë ngritur edhe shqetësime të tjera lidhur me kushtet brenda institucionit penitenciar. Në veçanti, ata kanë kundërshtuar mbipopullimin e burgut dhe gjendjen higjieno-sanitare.

Situata vijoi për disa orë, ndërsa autoritetet zhvilluan negociata me të burgosurit për të rikthyer kontrollin në ambientet e institucionit.

Pas negociatave, rreth 50 persona u larguan nga zona që kishin marrë nën kontroll. Megjithatë, një grup prej rreth 30 të burgosurish vijoi protestën dhe kërkoi praninë e një ndërmjetësi për të vijuar komunikimin me autoritetet.

Ngjarja në burgun “Don Bosco” ka tërhequr vëmendje për shkak të përmasave të revoltës, transmetimit të drejtpërdrejtë nga brenda institucionit dhe pretendimeve të të burgosurve lidhur me trajtimin e tyre dhe kushtet e vuajtjes së dënimit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.