Plas sherri për Porto Palermon, grushta dhe akuza për “hapjen e zarfit”
Një incident i tensionuar është regjistruar disa ditë më parë në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, gjatë zhvillimit të ankandit për dhënien në përdorim të objekteve të Marinës në Porto Palermo, në territorin e Bashkisë Himarë.
Sipas dëshmive të punonjësve që ndodheshin në institucion në momentin e ngjarjes, një biznesmen është përfshirë në një përplasje fizike me një prej anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Konflikti dyshohet se shpërtheu pasi biznesmeni ngriti akuza për ndërhyrje në procesin e ankandit, manipulim të kritereve dhe favorizim të një ofertuesi tjetër, i cili sipas pretendimeve nuk përmbushte kushtet e kërkuara për pjesëmarrje.
Ndërkohë që situata në institucion u tensionua, një tjetër biznesmen i përfshirë në procedurë ka zgjedhur të ndjekë rrugën ligjore. Ai ka depozituar një kallëzim penal në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke kërkuar hetim për mënyrën se si u zhvillua procedura.
Në kallëzim ngrihen dyshime për disa shkelje të mundshme ligjore, mes tyre “shpërdorim detyre”, “manipulim të ankandit” dhe “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në procedurat publike”. Padia është drejtuar ndaj anëtarëve të Komisionit të Ankandit që vepron pranë ministrisë, ndaj punonjëses së protokollit, si dhe ndaj çdo personi tjetër që mund të rezultojë i përfshirë gjatë hetimeve.
Sipas dokumentit të depozituar pranë autoriteteve, kërkohet verifikimi i disa veprave penale, përfshirë “Shpërdorimin e detyrës” sipas nenit 248 të Kodit Penal, “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike” sipas nenit 258, si dhe falsifikimin ose përdorimin e dokumenteve të parregullta, nëse provohet ndërhyrje në zarfet e ofertave.
Ngjarja lidhet me ankandin e zhvilluar më 24 shkurt 2026 në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit për administrimin e objekteve të Marinës në Porto Palermo. Sipas njoftimit zyrtar të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, ofertat me zarf të mbyllur duhej të dorëzoheshin pranë Komisionit të Ankandit në momentin e zhvillimit të procedurës, konkretisht në orën 10:00.
Megjithatë, sipas pretendimeve të përfshira në kallëzim, përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë janë paraqitur rreth orës 09:15 për të dorëzuar ofertat. Në këtë moment, ata janë udhëzuar nga punonjësja e protokollit që zarfet të depozitoheshin fillimisht në protokoll, me paralajmërimin se në të kundërt nuk do të lejoheshin të merrnin pjesë në ankand. Sipas denoncuesve, ky veprim përbënte devijim nga procedura e shpallur publikisht.
Për këtë arsye, ofertuesit kanë dorëzuar zarfet e mbyllura në protokoll, ku secilit prej tyre iu vendos edhe një numër protokolli. Por sipas kallëzimit, situata u komplikua më tej kur përfaqësuesit e operatorëve hynë në ambientin ku po zhvillohej ankandi rreth orës 10:10.
Në atë moment, një nga ofertuesit ka konstatuar se zarfi i tij ishte i hapur, ndonëse sipas tij ishte dorëzuar i mbyllur. Ky fakt u ngrit menjëherë përpara Komisionit të Ankandit, duke kërkuar verifikim të rrethanave.
Sipas pretendimeve të paraqitura në kallëzim, Komisioni nuk e ndërpreu procedurën për të sqaruar situatën dhe nuk kreu asnjë verifikim të menjëhershëm. Përkundrazi, oferta në fjalë u skualifikua me argumentin formal se zarfi ishte i hapur. Denoncuesit argumentojnë se kjo situatë ngre dyshime serioze për cenim të integritetit të ofertës dhe për ndërhyrje të mundshme në dokumentacion.
Në dokument theksohet gjithashtu se, nëse zarfi do të ishte i hapur që në momentin e dorëzimit në protokoll, punonjësja e protokollit kishte detyrimin ligjor ta evidentonte këtë fakt dhe të regjistronte gjendjen e tij, gjë që sipas kallëzuesve nuk është bërë.
Sipas kallëzimit penal, gjatë procedurës Komisioni ka skualifikuar dy operatorë ekonomikë, ndërsa ka kualifikuar një person fizik, të cilit i është pranuar dokumentacion i paplotë. Në mënyrë të veçantë përmendet një deklaratë e panoterizuar, e cila sipas ankuesve bie në kundërshtim me kërkesat e përcaktuara në dokumentet e ankandit.
Denoncuesit argumentojnë se ky veprim përbën trajtim të pabarabartë të pjesëmarrësve dhe mund të përbëjë element të shkeljes së parimit të barazisë në procedurë.
Pas përfundimit të ankandit, përfaqësuesit e operatorëve kanë kërkuar hartimin dhe nënshkrimin e procesverbalit të procedurës. Megjithatë, sipas kallëzimit, Komisioni ka refuzuar ta përpilojë dhe firmosë atë në moment, duke deklaruar se ankandi konsiderohej i mbyllur dhe se palët do të njoftoheshin në një fazë të mëvonshme.
Ky veprim cilësohet nga denoncuesit si një tjetër shkelje procedurale dhe si përpjekje për të shmangur dokumentimin zyrtar të kundërshtimeve të ngritura gjatë procesit.
Në kallëzim kërkohet ndërhyrja e menjëhershme e organit të akuzës për regjistrimin e procedimit penal dhe kryerjen e një sërë veprimesh hetimore. Mes tyre përfshihen sekuestrimi i regjistrit të protokollit, i zarfeve fizike të ofertave, i dokumentacionit të subjektit të shpallur fitues, si dhe i çdo procesverbali të hartuar nga komisioni.
Po ashtu kërkohet edhe sekuestrimi i pamjeve të kamerave të sigurisë brenda institucionit, ekspertimi teknik i zarfit për të verifikuar nëse ka pasur ndërhyrje fizike, marrja në pyetje e punonjëses së protokollit dhe e anëtarëve të komisionit, si dhe verifikimi i ligjshmërisë së dokumentacionit të subjektit të kualifikuar.
Në përfundim të kallëzimit theksohet se rrethanat e përshkruara nuk përbëjnë vetëm shkelje administrative, por mund të përmbajnë elementë të veprave penale që cenojnë integritetin e procedurave publike dhe interesin publik, veçanërisht duke pasur parasysh se ankandi lidhet me administrimin e një pasurie shtetërore me vlerë të konsiderueshme ekonomike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



