E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Plazhet publike me pagesë, premtimi për akses falas bie: Bashkitë vendosin tarifa për çadrat dhe shezlongët
Lajme

Plazhet publike me pagesë, premtimi për akses falas bie: Bashkitë vendosin tarifa për çadrat dhe shezlongët

Plazhi publik nuk do të thotë më domosdoshmërisht plazh falas. Një ndryshim në rregullat e administrimit të hapësirave bregdetare u ka dhënë bashkive mundësinë të menaxhojnë dhe të tarifojnë shërbime si çadrat, shezlongët, pastrimi dhe siguria, duke bërë që pushuesit të paguajnë edhe në hapësira që konsiderohen publike.

Baza ligjore është rregullorja për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacioneve të plazhit, miratuar në vitin 2024 dhe ndryshuar në janar të vitit 2026. Me ndryshimet u përfshi edhe kategoria e “plazheve publike të tarifuara nga Njësia e Vetëqeverisjes Vendore”, të cilat mund të administrohen dhe tarifohen nga bashkitë ose strukturat e krijuara prej tyre.

Kjo skemë nuk kufizohet vetëm në bregdet, por shtrihet edhe në hapësira përgjatë liqeneve dhe lumenjve. Në praktikë, bashkitë kanë tashmë mundësinë të ofrojnë shërbime në zona publike kundrejt pagesës.

Çështja merr një tjetër peshë përballë deklaratave të kryeministrit Edi Rama për zgjerimin dhe përmirësimin e plazheve publike. Në shtator 2025, Rama deklaroi se plazhi publik duhet të ketë shërbime dhe nuk duhet të mbetet thjesht një hapësirë me rërë. Po atë periudhë ai tha se plazhe në zona turistike si Ksamili dhe Dhërmiu do të administroheshin nga bashkitë dhe jo nga operatorët privatë.

Por realiteti i sezonit turistik 2026 tregon se modeli i administrimit publik po shoqërohet edhe me tarifa. Në disa prej zonave më të frekuentuara, pushuesit duhet të paguajnë për përdorimin e çadrave dhe shezlongëve.

Ekonomisti Zef Preçi e konsideron këtë praktikë problematike. Sipas tij, qytetarët paguajnë fillimisht taksa dhe tarifa vendore, ndërsa më pas u kërkohet një pagesë tjetër për përdorimin e shërbimeve në hapësirat publike. Ai e cilëson këtë si një formë të “taksimit të dyfishtë” dhe argumenton se pagesa për çadra e shezlongë do të kishte më shumë kuptim në hapësirat e administruara nga operatorë privatë që kanë kryer investime.

Sa kushton një ditë në plazhin publik?

Në Vlorë janë përcaktuar 10 parcela si plazhe publike me tarifë, tetë prej tyre në zonën e Lungomares, ndërsa dy të tjera në Plazhin e Vjetër dhe Orikum. Këshilli Bashkiak ka miratuar një tarifë prej 700 lekësh për një çadër dhe dy shezlongë. Sipas administruesve, pagesa përfshin edhe shërbime si pastrimi, menaxhimi i mbetjeve, rojet bregdetare, ndihma e parë dhe përdorimi i ambienteve higjieno-sanitare.

Në Lezhë, Bashkia administron 30 stacione plazhi me pagesë. Çmimet variojnë sipas shërbimit: një çadër kashte kushton 500 lekë, një set me çadër dhe shezlongë 1,000 lekë, ndërsa një gazebo familjare mund të arrijë deri në 2,500 lekë në ditë. Megjithatë, rreth 60% e plazheve publike në territorin e bashkisë vijojnë të jenë pa tarifim.

Në Shkodër, tarifat për hapësirat publike të administruara nga strukturat vendore janë 400 lekë për një çadër dhe dy shezlongë në Velipojë dhe 300 lekë në Rrjoll. Në stacionet e administruara nga privatët, çmimi maksimal i përcaktuar është 900 lekë për të njëjtin set.

Në Himarë, gjatë sezonit 2026 është aplikuar tarifim në gjashtë plazhe publike: Krorëz, Shpella e Lukovës, Filikuri, Gjipea, Shpella e Piratëve dhe Akuariumi. Në Shpellën e Lukovës tarifa është 200 lekë për çadër, ndërsa në pesë plazhet e tjera 300 lekë. Sipas bashkisë, të ardhurat e parashikuara nga kjo skemë arrijnë rreth 4.5 milionë lekë.

Ndërkohë, jo të gjitha bashkitë kanë zgjedhur të aplikojnë këtë model. Bashkia Kavajë ka deklaruar se nuk ka vendosur tarifa për plazhet publike në territorin e saj.

Për Durrësin dhe Sarandën, deri në publikimin e të dhënave nuk rezultonin të bëra publike dokumente që përcaktojnë qartë parcelat apo zonat ku do të aplikohej tarifimi.

Në këtë mënyrë, koncepti i “plazhit publik” po merr një kuptim të ri: hapësira mund të jetë publike dhe administrimi mund të jetë i bashkisë, por përdorimi i shërbimeve nuk është domosdoshmërisht falas. Për pushuesit, kjo do të thotë se edhe në zonat e cilësuara si publike, një ditë në bregdet mund të ketë tashmë një faturë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.