Plehrat në Durrës, qeveria miraton vendimin për mbështetje financiare
Kallëzimi dhe hetimi penal i nisur nga prokurorët specialë nuk e ka stepur aspak Bllakon, që të vijojë të propozojë zgjidhje në favor të kompanisë së menaxhuar në fillim nga Klodian Zoto.
Këshilli Bashkiak i Durrësit e shndërroi në vendim atë opinion të Alqi Bllakos dhe ngarkoi kryetaren në detyrë të Bashkisë, Emirjona Sako, që të diskutoj me qeverinë për mbështetjen financiare të projektit të miratuar, pra “variantit Zoto”.
Ndërkohë, Bashkia e Durrësit u detyrua të tërhiqet nga një tender me vlerë 40 milionë lekë të vjetra, i shpallur në prill të këtij viti, i cili synonte hartimin e një studimi fizibiliteti për menaxhimin e mbetjeve në një prej zonave potenciale të qytetit për t’u shndërruar në landfill.
Në një vendim të Këshillit Bashkiak, që mban datën 28 Qershor 2021, u vendos që fondi i parashikuar për këtë studim fizibiliteti, në shumën 50 milionë lekë të vjetra, të alokohej për projekte të tjera të bashkisë.
Pas një përpjekje dy-vjeçare, e cila shkaktoi kaos dhe problematika të theksuara me menaxhimin e mbetjeve të Durrësit, qeveria arriti të finalizojë “pazarin” për dorëzimin e plehrave të qytetit pranë landfillit të Sharrës.
Durrësi prej mëse dy vitesh është në emergjencë mjedisore, pasi kabineti i Edi Ramës vendosi të mbyllë landfillin e Porto Romanos, pa u gjetur një zgjidhje për grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane të qytetit.
Më pas, në pranverën e këtij viti, qeveria refuzoi në heshtje një propozim të Bashkisë së Durrësit për të ndërtuar një landfill të ri në territorin e qytetit.
Dhe, në fund, Bashkia e Durrësit u detyrua të pranojë variantin e paraqitur nga Agjencia Kombëtare e Mbetjeve, e cila detyron qytetin bregdetar të dorëzojë mbetjet në landfillin e Sharrës, në Tiranë, një projekt që përllogaritet rreth 50 milionë euro për 10 vitet e ardhshme.
Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Erion Braçes, ka miratuar këtë të Enjte, vendimin për të mbështetur financiarisht Bashkinë e Durrësit për menaxhimin e mbetjeve urbane.
Megjithëse qeveria është kujdesur të mos e përmend nominalisht kompanitë e drejtuar fillimisht nga menaxheri Klodian Zoto, të gjithë të dhënat të orientojnë drejt saj.
Në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 438, datë 15 korrik 2021, thuhet se bashkitë e qarkut të Durrësit duhet të marrin masa të menjëhershme për të gjetur zgjidhje dhe, në rast se nuk kanë fonde të mjaftueshme, t’i drejtohen Ministrisë së Financave për mbështetje financiare.
Por, megjithëse në vendim e qeverisë flitet për plane e strategji që mund të hartohen në të ardhmen, në fakt Bashkia e Durrësit e ka miratuar variantin e saj dhe ia ka dorëzuar qeverisë që në mesin e qershorit 2021.
Pra, duket se gjithçka është e zgjidhur, pavarësisht se vendimi i nënshkruar nga Braçe rreket të krijojë përshtypjen se nuk ekziston një plan paraprak.
Në 10 qershor 2021, Këshilli Bashkiak i Durrësit shqyrtoi tre variante për menaxhimin e mbetjeve dhe arriti në përfundimin që të mbështeste dërgimin e plehrave të qytetit në landfillin e “Integrated Energy BV”.
Këshilli Bashkiak, më herët, kishte marrë një “Opinion” nga Agjencia e Mbetjeve, e drejtuar ende nga Alqi Bllako, në të cilin sugjerohej pikërisht “varianti Zoto”.
Vendimi:
MBËSHTETJEN FINANCIARE PËR MENAXHIMIN E MBETJEVE NË BASHKITË E QARKUT TË DURRËSIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.10431, datë 9.7.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, të neneve 10 e 22, pika 3, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 28, të ligjit nr.68/2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e min istrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Financave dhe Ekonominë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Bashkitë e Qarkut të Durrësit të marrin masa të menjëhershme për gjetjen e zgjidhjeve për menaxhimin/trajtimin e mbjetjeve urbane në këtë qark, duke mbajtur në konsideratë legjislacionin në fuqi në fushën e mbetjeve.
2. Pas studimit të tregut dhe gjetjes së zgjidhjeve më të mira financiare për trajtimin e mbetjeve urbane, në përputhje me standardet e menaxhimit të integruar të mbetjeve, nëse efektet financiare të zgjidhjes janë të pamjaftueshme për t’u përballuar nga buxheti i bashkisë përkatëse të Qarkut të Durrësit, bashkia i drejtohet ministrisë përgjegjëse për financat, me qëllim mbulimin e diferencës së efekteve financiare të kërkuara.
3. Pas dërgimit të kërkesës financiare, ministritë propozuese të këtij akti i propozojnë Këshillit të Ministrave miratimin e mbështetjes financiare për bashkitë e përfshira në Qarkun e Durrësit, në përputhje me instrumentet e parashikuara në legjislacionin në fuqi.
4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, bashkitë e Qarkut të Durrësit, këshilli i qarkut përkatës dhe prefekti i Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi me botimin në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



