“Po i bëj nderin e jetës”, zbulohen bisedat e tenderit Thumanë-Kashar
Zbulohet si u shpall fituese Gener 2 sh.p.k.
Në vijim të hetimeve për aferën e tunelit të Llogarasë, nga analiza e të dhënave të aparatit celular “BlackBerry”, model “BBF100-6”, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, janë zbuluar komunikime në aplikacionin “Signal Private Messenger” ndërmjet zv.kryeministres Belinda Balluku dhe ish-kreu të ARRSH-së, Evis Berberi. Sipas aktit të ekspertimit, këto biseda janë zhvilluar në datën 15.06.2021, rreth orës 12:43-12:46.
Në mesazhet e zbardhura, Balluku i shkruan Berberit se kishte qenë një ditë më parë me Bashkimin, duke shtuar:
“Kjo është sfida ime dhe e tij.”
Në vazhdim të bisedës, Balluku përmend ardhjen e një vinçi për trarët e urës, duke thënë se ai pritej “nesër ose pasnesër”. Berberi i përgjigjet se kishte qenë drejt urës dhe po kthehej:
Belinda Balluku: Isha me Bashkimin dje.
Evis Berberi: Si shkoi?
Belinda Balluku: Dhe i thashë, kjo është sfida ime dhe e tij.
Evis Berberi: Po prandaj ndihej ndryshimi sot.
Belinda Balluku: Me tha që vinçi për trarët e urës vjen nesër ose pasnesër.
Evis Berberi: Erdhi dje, sot shkonte te ura. Se që andej po kthehem.
Në një tjetër komunikim, Balluku shprehet se po i bënte “nderin e jetës me Thumanë-Kashar”, duke shtuar se personi në fjalë “mund të bëhet shumë ushtar” dhe duke e përshkruar si “të izoluar dhe të pashpresë”:
Belinda Balluku: “Unë po i bëj nderin e jetës me Thumanë-Kashar, ndaj ai do bëhet copë. Do flasim pak, mund të bëhet shumë ushtar. Është shumë i izoluar dhe i pashpresë, ndaj Agollin nuk e shiti kurrë dhe e bëri mbret.”
Evis Berberi: Të vij sot të diskutojmë pak dhe për nesër në ora 9. S’ka se si ta shesë, kanë punuar gjatë.
Belinda Balluku: Se këta të tjerët janë të lidhur e të bëre gonxhe me njëri-tjetrin.
SPAK sqaron se ky komunikim i referohet shtetasit Bashkim Ulaj, ortak i shoqërisë “Gener 2” sh.p.k., e shpallur fituese në procedurën koncesionare për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Thumanë–Fushë-Krujë–Vorë–Kashar, me vlerë të parashikuar prej 245,750,755 euro.
Sipas të dhënave hetimore, më 09.05.2022 është lidhur kontrata e koncesionit midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e Autoritetit Kontraktor, dhe shoqërive “Gener 2” sh.p.k. (koncesionari) dhe “G2 Infra” sh.p.k. (shoqëria koncesionare), me objekt “Për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Thumanë–Fushë-Krujë–Vorë–Kashar”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



