Po jetojmë në epokën e kulturës së ambalazhit: Ajo që shitet sot nuk është thelbi, por paketimi
Naim Noka
Po jetojmë në një botë ku dukja është më e rëndësishme se dituria, ku forma mbizotëron mbi përmbajtjen, dhe ku “suksesi” matet me numrin e pëlqimeve e ndjekësve, jo me thellësinë e mendimeve.
Këngëtaret me buzë të fryra dhe me të pasme të mbushura kanë 500K ndjekës, ca të tjera që nuk e dinë as vetë çfarë përfaqësojnë në vlerat e shoqërisë kanë disa qindra K-ra ndjekës. Në kulturën e sotme, ajo që është e ambalazhuar bukur ka më shumë vlerë sesa ajo që është thellësisht e vërtetë. Është si një paradë për t’u parë, jo për t’u menduar.
Rrjetet sociale janë kthyer në arenën e perfeksionit të simuluar, ku individi mësohet të reklamojë jetën e tij sikur të jetë një produkt për treg. Adoleshentë, studentë, politikanë e gazetarë, blogere që lepijnë akullore bukur, apo hanë mish të pjekur në saç në Mokër apo Bushtricë, mbushin rrjetin marramendës me postimet e shndritshme, udhëtimet luksoze, fotot e kuruara me përpikmëri – këto janë ambalazhet e epokës moderne, që në të shumtën e rasteve fshehin një zbrazëti të madhe brenda tyre. Kjo zbrazëti nuk është vetëm shpirtërore, por edhe intelektuale. Po nuk doli kryeministri duke pirë kafe dhe duke bërë video e selfie si humorist, nuk është intersant, nuk e thithin rrjetet. Kjo modë duket ves dhe sëmundje e çdo përdoruesi të smarfonit dhe rrjeteve sociale.
Në këte kulturën e ambalazhit, përmbajtja nuk ka më rëndësi. Ajo që vlen është se si dukesh, jo çfarë mendon. Fjalët e mençura nuk i bëjnë më dritë dikujt, nëse nuk janë të shoqëruara nga një selfie tërheqëse.
Një individ i edukuar, i lexuar e i thellë duket më pak “sukses” sesa dikush që ka aftësinë të manipulojë algoritmat për të dalë sa më lart në kërkimet e rrjeteve sociale.
E gjitha kjo na çon në një përfundim të hidhur: jemi më shumë të preokupuar me imazhin sesa me realitetin.
E vërteta është se jeta e mbështetur vetëm në dukje është e brishtë dhe fallso. Ajo mbështetet në miratimin e të tjerëve, në një iluzion i kotë dhe që humbet e shuhet sapo lëviz gishtin. Ky është realiteti vezullues që shitet e jeton brenda smartfonit tonë, që mbajmë si sytë e ballit, edhe pse po na dobëson shikimin pak e nga pak çdo ditë.
Por, deri kur do ta mbajmë këtë maskë të përsosjes? Në çastin që drita e rrjeteve sociale fiket, mbetet një pasqyrë bosh që reflekton vetëm atë që është vërtet e rëndësishme: thelbi. Dhe thelbi, ndryshe nga dukja, nuk ka nevojë për reklamë. Sot është e dielë dhe algoritmi është i prirur drejt ‘tavave të dheut’ pulave të fshatit dhe mishit në hell.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



