E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pogradeci nën sundimin e shefit të Urbanistikës Paskalino Ziko
Flash

Pogradeci nën sundimin e shefit të Urbanistikës Paskalino Ziko

 

Nga redaksia Publik.al

Në një qytet të bukur si Pogradeci, ku liqeni dhe turizmi duhet të jenë në qendër të zhvillimit të qëndrueshëm urban, prej vitesh ka ndodhur e kundërta: një degradim i qëllimshëm i hapësirës publike, në funksion të interesave klienteliste dhe private. Në qendër të kësaj skeme qëndron emri i Paskalino Zikos, shefi i Urbanistikës në Bashkinë e Pogradecit.

Sipas një sërë denoncimesh , Ziko nuk është vetëm një zyrtar teknik. Ai përmendet si “arkitekti” i vërtetë i kaosit urban, krahu i djathtë i kryetarit të Bashkisë, Ilir Xhakolli, dhe një nga emrat kyç që vendos se kush ndërton, ku ndërton dhe mbi çfarë lejesh (apo mungese të tyre) ngrihen bizneset në tokën publike.

Leje për klientët, shkelje për qytetarët

Sipas burimeve, në Pogradec ka ndërtim pa leje në trotuare, ambiente publike, madje edhe në hapësira të plazhit liqenor. Në të gjitha rastet, lejet ose mungojnë fare, ose janë dhënë në mënyrë të dyshimtë, me firma që mbajnë përgjegjësinë direkte të Zikos. Përdorimi i firmës së tij është bërë standard për të “ligjëruar” çdo abuzim urban.

Më shqetësuese akoma është përdorimi i punëtorëve dhe materialeve të Bashkisë për ndërtime private. Në disa raste të dokumentuara me foto dhe dëshmi, rezulton se mjete të bashkisë janë përdorur për të ndërtuar objekte që nuk kanë lidhje me funksione publike, por me interesa personale apo klienteliste të zyrtarëve të lartë vendorë.

Aksionet e shtetit i shmangin të pushtetshmit

Ndërkohë që IKMT po ndërmerr aksione për të shembur bizneset zaptuese në zona bregliqenore apo turistike, qytetarët pyesin me të drejtë: pse nuk fillon aksioni nga zyrtarët e bashkisë? Ata që firmosin lejet, ndërtojnë vetë, e që janë njëkohësisht kontrollues dhe përfitues të këtij kaosi urban.

Objektet që u përkasin vetë drejtorëve, sidomos atyre në sektorin e urbanistikës dhe investimeve, duhen hetuar dhe shembur të parat, nëse shteti ka vërtet vullnet për të rivendosur ligjshmërinë.

Qytetarët kërkojnë hetim dhe drejtësi

Në një qytet të vogël si Pogradeci, gjithçka dihet, por askush nuk flet. Por duket se durimi ka mbaruar. Qytetarë të indinjuar kërkojnë hetim të thelluar nga SPAK, verifikim të pasurive të zyrtarëve të bashkisë, dhe ndëshkim për abuzimin me detyrën dhe dëmtimin e interesit publik.

Nëse drejtësia do të tregojë seriozitet, Paskalino Ziko dhe Ilir Xhakolli duhet të jenë të parët që thirren për t’u marrë në pyetje sepse qyteti nuk mund të ndërtohet mbi abuzim, beton, e favore politike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.