E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Policia e Shtetit shndërrohet në autor të vetgjyqësisë dhe vjedh patentën
Flash

Policia e Shtetit shndërrohet në autor të vetgjyqësisë dhe vjedh patentën

Denoncimi i avokatit Arben Llangozi

Një ngjarje e rëndë është bërë publike nga avokati Arben Llangozit, i cili ka denoncuar me tone të ashpra veprimet arbitrare të disa efektivëve të Policisë së Shtetit ndaj një 21-vjeçari, punonjës në zyrën e tij.

Sipas Llangozit, i riu, i cili përshkruhet si një djalë i qetë, i sjellshëm dhe pa asnjë precedent penal, është ndaluar në mënyrë të dhunshme nga policia teksa udhëtonte me monopatin e tij drejt punës.

“Punonjës të policisë rrugore e ndaluan papritur, e kapën për çantë dhe tentuan ta tërhiqnin me forcë. Pas disa metrash, ai ndaloi vetë pa rezistencë, por policët i morën patentën pa procesverbal dhe pa asnjë dokument ligjor. Ky është akt vetgjyqësie dhe vjedhje,” deklaron Llangozit.

Avokati shton se policët i kërkuan të riut të paraqitej në Policinë Rrugore në Kinostudio për të dorëzuar monopatin, përpara se t’i kthehej patenta, një “rregull” që, sipas tij, nuk ekziston në asnjë dispozitë ligjore.

Më pas, një tjetër efektiv i ka komunikuar se do të shoqërohej për “mosbindje ndaj urdhrit të policisë”, ndërsa videoja e ngjarjes, e regjistruar nga vetë i riu, tregon qartë se nuk ka pasur rezistencë.

Gjatë shoqërimit, ai është lënduar në kavilje dhe është mbajtur për disa orë në ambientet e Komisariatit nr. 6, ku sipas avokatit është trajtuar me presion psikologjik dhe tone kërcënuese. Llangozit denoncon se është ndaluar të marrë pjesë në marrjen në pyetje të klientit të tij, ndonëse ishte i pranishëm në komisariat, duke e cilësuar këtë “shkelje flagrante të së drejtës për mbrojtje ligjore”.

“Ky është modeli i policisë që duam? Një polici që në vend të zbatojë ligjin, e shkel me këmbë dhe frikëson qytetarët?”, shprehet ai me indinjatë.

Llangozit akuzon se raste të tilla shoqërimesh pa procesverbal dhe pa bazë ligjore janë kthyer në praktikë të paligjshme, të përdorur si mjet presioni për përfitime korruptive.

Në fund të reagimit, ai i bën thirrje Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) të hetojë veprimet e efektivëve të përfshirë dhe Avokatit të Popullit të ndërhyjë për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve:

“Këto abuzime po cënojnë rëndë besimin e qytetarëve tek shteti dhe organet e rendit. Është koha që dikush të mbajë përgjegjësi.”

Postimi i plotë i avokatit Llangozi:

Nga qytetar i ndershëm në “me precedent penal”: Shihni videon si policia e shtetit shndërrohet në autor të vetgjyqësisë dhe vjedh patentën

Sot pasdite, IT i zyrës sime një djalë 21-vjeçar, i sjellshëm, i përkushtuar në punën e tij dhe që nuk konsumon as duhan, as alkool e as lëndë narkotike më kontaktoi i shqetësuar, duke më njoftuar se ishte shoqëruar në Komisariatin e Policisë nr. 6. Sipas policisë, arsyeja ishte “mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, një akuzë e përdorur shpesh për të justifikuar veprime arbitrare dhe tejkalim të kompetencave ligjore të kryera nga ana e tyre.

Ngjarja ndodhi teksa ai udhëtonte me monopatin e tij për në punë. Punonjës të policisë rrugore e ndaluan në mënyrë të papritur, duke e kapur për çantë dhe duke tentuar ta tërhiqnin me forcë. Pas disa metrash, i riu ndaloi vetë, pa rezistencë, por policët i morën patentën pa asnjë procesverbal, pa dokument sekuestrimi dhe pa ndonjë vendim administrativ apo penal që ta justifikonte këtë veprim. Ky akt përbën një rast të pastër vetgjyqësie dhe vjedhje, ku policia e zbaton “drejtësinë” sipas dëshirës dhe jo sipas ligjit.

Kur i riu kërkoi shpjegime dhe kërkoi kthimin e dokumentit, policët e njoftuan se duhej të paraqitej në Policinë Rrugore në Kinostudio për të sjellë monopatin, që më pas t’i dorëzohej patenta. Një “rregull” që nuk ekziston në asnjë ligj apo udhëzim zyrtar.

Pak më vonë, një tjetër efektiv, që udhëtonte me të njëjtin motor, i komunikoi se do të shoqërohej për “mosbindje ndaj urdhrit të policisë” dhe e kanē marrë me forcë. Por ku qëndron mosbindja, kur qytetari ka ndaluar vetë dhe ka bashkëpunuar? Filmimi i ngjarjes, që vetë i riu e kishte bërë, e tregon qartë këtë fakt.

Gjatë shoqërimit, ai është dëmtuar në kavilje dhe është mbajtur për disa orë në ambientet e Komisariatit nr. 6, ku ndaj tij është ushtruar presion psikologjik dhe trajtim poshtërues. Është kërkuar që të kryheshin hetime por oficeri i rojes na ka deklaruar se oficerja Elisabeta Çarçiu ishte në “aksion” në fakt ka qenë në zyrën e saj dhe më vonë ka kërkuar të marrë në pyetje të riun.

Në momentin që u paraqita si përfaqësues ligjor, kërkova që të njoftohej oficeri i prokurorisë për të marrë drejtimin e procedurës, pasi policia nuk mund të kryejë hetime kur është vetë palë e përfshirë në incident. Ky është konflikt i qartë interesi. Oficerja, në vend që të zbatojë ligjin, reagoi me arrogancë, duke pretenduar se “kështu e parashikon ligji”, por pa ditur të përmendte asnjë nen apo dispozitë konkrete.

Pas debatit, ajo e futi sërish të riun në dhomat e shoqërimit për afro një orë dhe më pas e mori përsëri në pyetje, këtë herë pa praninë e avokatit edhe pse unë isha pranë ambienteve të komisariatit , duke shkelur hapur të drejtën për mbrojtje. Kur i shoqëruari kërkoi prezencën time, oficerja dhe shefja e saj ngritën zërin dhe përdorën tone kërcënuese ndaj qytetarit.

Ky është modeli i policisë që duam? Një polici që në vend të zbatojë ligjin, e shkel atë me këmbë; që në vend të mbrojë qytetarin, e frikëson dhe e dhunon; që në vend të verifikojë faktet, manipulon ngjarjet për të mbuluar shkeljet e veta?

Sot, një djalë i ndershëm, pa asnjë precedent penal, u regjistrua në sistemin e policisë si person i shoqëruar vetëm sepse disa efektivë vendosën të abuzojnë me uniformën dhe pushtetin që ajo u jep. Kjo ngjarje nuk është thjesht një episod i shëmtuar, por një tregues i qartë se shteti ligjor po deformohet nga vetë ata që duhet ta mbrojnë.

Arsyeja pse personat e shoqëruar mbahen për orë të tëra në komisariate, pa asnjë bazë ligjore dhe pa ndonjë veprim konkret procedural, nuk është tjetër veçse një formë presioni të qëllimshëm psikologjik. Kjo bëhet për të detyruar familjarët apo të afërmit e tyre të reagojnë, të kërkojnë “ndihmë”, të gjejnë ndonjë mik në sistem dhe, përmes tij, të realizohet ndonjë veprim korruptiv për lirimin apo lehtësimin e situatës.

Unë i bëj thirrje Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) të hetojë menjëherë veprimet e punonjësve të policisë, përfshirë arsyen pse i është marrë patenta këtij qytetari pa asnjë dokumentacion dhe pa ndonjë procedurë ligjore të vlefshme.

Njëkohësisht, i kërkoj Avokatit të Popullittë verifikojë jo vetëm këtë rast, por edhe rastet e tjera të ngjashme, ku qytetarët mbahen me orë të tëra në ambientet e komisariateve pa procesverbal, pa komunikim me avokatin dhe pa asnjë justifikim ligjor. Këto abuzime me orarin e shoqërimit janë kthyer në një praktikë të paligjshme që cënon rëndë të drejtat themelore të njeriut dhe besimin e qytetarëve tek shteti dhe organet e rendit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.