Policia nuk e gjen, si e organizuan atentatorët planin për vrasjen e Domart Konjarit
Domart Konjari është një ndër personat më të kërkuar nga Policia që prej vitit 2016 dhe deri më sot nuk kemi dëgjuar për ndonjë operacion policor që ka si qëllim arrestimin e tij. Megjithatë, gjatë këtyre 5 viteve që ai është në kërkim, emri i tij ka dalë dy herë në skenë.

Një herë si i dyshuar për një atentat, ndërsa së fundmi si objektiv i një atentati me eksploziv. Ndonëse Policia nuk e di se ku ndodhet, të paktën nisur nga fakti që nuk e arreston, atentatorët dinë çdo gjë rreth tij.
Dinë vendet që ai frekuenton, makinat me të cilat lëviz, ku e pi kafen dhe çdo gjë tjetër. Të paktën kështu rezulton nga dëshmia e të penduarit Enver Jamaku, i cili me rrëfimin e tij çoi në pranga disa persona dhe zbuloi 18 baza armatimi në Tiranë.
Jamaku tregoi se si i ishin premtuar shuma të konsiderueshme parash në rast se do te ekzekutonte Domart Konjarin.
Në tetor të vitit 2019, gjithçka ishte organizuar deri në perfeksion, duke u vendosur dy mina me telekomandë në makinë, por pati një ngatërresë. Në makinën e blinduar që shpërtheu, nuk ndodhej Konjari, por burri i motrës së tij, Artion Bylyku, i cili fatmirësisht i shpëtoi atentatit.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka dhënë dje masën e sigurisë “Arrest me burg” për 9 personat e prangosur në kuadër të operacionit “Kompleksi”, ku u zbuluan 18 baza armatimi në Tiranë. Në burg janë lënë Flor Abazi, Paris (Bledar) Prenga, Blendi Deda, Petrit Shera, Algert Hysa, Bujar Jaupi, Festim Mustafa, Arben Sufa dhe Klodian Kulla.
DESHMIA E TE PENDUARIT ENVER JAMAKU
Nga materiali hetimor ka rezultuar, në shpjegimet e tij, shtetasi Enver Jamaku deklaron se shtetasit Admir Kuçuku (me pseudonimin Ad Bomi), Akil Kulla, Klodian Kulla, Dorian Kalo, Sokol Xhura, Algert Hysa, Dervish Hasi, Ervin Kalaja (i cili është i arrestuar për një vepër tjetër penale), Mentor Doda (Tori i Rremës), Eugert Manushi, Artur Muhedini, Enes Hasi, Petrit Shera, Ilir Hyka, disponojnë (i kanë, i blejnë, ose i marrin nga uzina e riparimit të armëve ushtarake) armë zjarri të llojeve të ndryshme, të cilat i modifikojnë, duke i riparuar dhe ndërruar pjesët e tyre.
Këto armë më pas i sheshin me porosi tek individë dhe anëtarë të grupeve kriminale, që i përdorin më pas për kryerjen e krimeve kundër jetës. Shtetasi Enver Jamaku shpjegon se ka bashkëpunuar me këta persona në kryerjen e këtij aktiviteti të kundërligjshëm.
Gjithashtu, në shpjegimet e tij ka dhënë detaje dhe rrethana të ngjarjes ku në vitin 2017, Sokol Xhura ka pasur një konflikt për pronat me shtetasin Edmond Saraçi, i cili kishte avokat shtetasin Paulin Papleka. Referuar thënieve të tij, ka dyshime se Sokoli ka kërkuar kryerjen e ngjarjes ku është qëlluar me armë zjarri pistoletë automjeti i avokatit Paulin Papleka, ngjarje kjo e ndodhur në zonën e Freskut, në Tiranë.
Referuar shpjegimeve të tij, kjo ngjarje është kryer nga shtetasi nën hetim Enver Jamaku. Më pas kjo armë zjarri e përdorur në ngjarjen e avokatit, bashkë me sende të tjera të kundërligjshme, me porosi të shtetasit Sokol Xhura, i janë vendosur në banesë nga personat nën hetim Enver Jamaku dhe Ermind Jamaku, shtetasit Edmond Saraçi.
Për këtë ngjarje, shtetasi Edmond Saraçi është arrestuar nga Policia Gjyqësore, pasi personat që kanë porositur vendosjen e sendeve të kundërligjshme kanë njoftuar Policinë.
Shtetasi Enver Jamaku në shpjegimet e tij ka deklaruar se ai dhe shtetasi Ermond Jamaku janë personat, të cilët kanë vendosur dhe shpërthyer lëndën eksplozive në automjetin e shtetasin Artion Bylyku, në rrugën “Ramazan Bogdani”, në muajin tetor 2019. Në vitin 2019, është porositur nga shtetasi Flor Abazi, Blendi Deda dhe Paris (Bledi) Deda, për kryerjen e vrasjes së shtetasit Domart Konjari.
Për kryerjen e kësaj ngjarjeje, këta tre shtetas i kanë gjetur dhe vënë në dispozicion personave nën hetim Enver e Ermond Jamaku automjetet për mbajtjen nën vëzhgim të viktimës dhe dy mina me lëndë eksplozive të lidhura e komanduara me pulte komandimi në distancë.
Ata i kanë premtuar se do t’i jepnin shuma të konsiderueshme parash në këmbim të kryerjes së vrasjes së shtetasit Domart Konjari.
Gjithashtu i kanë dhënë në njohje, duke i treguar personit nën hetim Enver Jamaku, fotografinë e shtetasit Domart Konjari, automjetin që përdor, një “Mercedez Benz”, ngjyrë e zezë, me targa të huaja, me numra 111 (sa mbajnë mend personat nën hetim). Ata i kanë treguar vendet që frekuenton shtetasi Domart Konjari dhe një ditë para ngjarjes e kanë njoftuar personin nën hetim, Enver Jamaku, se automjeti i viktimës është i parkuar në rrugën “Ramazan Bogdani”, pikërisht në vendin ku ka ndodhur dhe shpërthimi.
Për këtë ngjarje, më datë 18.10.2019 është vendosur dhe shpërthyer në distancë automjeti “Mercedez Benz”, ngjyrë e zezë, me targë KSBX 111, e shtetasit Artion Bylyku, i cili është i martuar me motrën e Domart Konjarit. Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal nr.8200 të vitit 2019, fashikull i cili për kompetencë lëndore është bërë pjesë e procedimit penal nr.52, të vitit 2021.
Shtetasi Enver Jamaku ka marrë pjesë dhe ka bashkëpunuar me shtetasit e sipërcituar dhe ka dijeni për vendet, ambientet e përshtatura dhe adresat që përdoren për magazinimin, modifikimin e shitjen e armëve të zjarrit dhe municionit nga këta persona. Shtetasi Enver Jamaku ka shpjeguar se ka dijeni për garazhin ku ndodhet automjeti “Volkswagen Cady” dhe sende të tjera, që është përdorur në vendosjen e lëndës eksplozive në automjetin e shtetasit Artion Bylyku.
Automjeti është përdorur nga Enver Jamaku dhe Ermond Jamaku në këtë ngjarje kriminale dhe është dërguar dhe mbyllur nga Enveri në garazh.
Shkelja e afateve, si u lirua Domart Konjari nga Gjykata
Një ditë pas ekzekutimit mafioz të Devi Kasmit, në janar të vitit 2018, Policia e Tiranës shpalli në kërkim policor një person që ishte në kërkuar. Bëhej fjalë për Domart Konjari, i cili që prej vitit 2016, kur u la i lirë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, edhe pse kërkohej nga Franca për trafik droge, nuk u arrit të gjendej asnjëherë nga Policia.
E megjithëse në arrati dhe i konsideruar si një prej personave me rrezikshmëri të lartë, Konjari u kthye në qendër të vëmendjes, si i dyshuar për vrasjen e Kasmit, dikur mik i tij. Emri i Konjarit, si i person i dyshuar për atentatin te Pediatria përmendej në një komunikatë të brendshme të Policisë së Shtetit, por pa u specifikuar nëse kishte rol ekzekutori apo porositësi të vrasjes.
Më pas, Policia tha se zbardhi vrasjen e Devi Kasmit dhe arrestoi disa persona, mes tyre edhe një shtetas grek, i cili aktualisht ndodhet në qeli, i dyshuar si ekzekutor. Megjithatë për Konjarin nuk u tha më se çfarë roli kishte pasur në atë krim.
Domart Konjari u arrestua fillimisht më 6 nëntor të vitit 2015, në Kapshticë, pasi për të kishte një urdhër arrest ndërkombëtar, lëshuar nga autoritetet franceze, si i përfshirë në një organizatë kriminale që trafikonte drogë. Masa e sigurisë ndaj tij u dha fillimisht nga Gjykata e Korçës, e cila e la në burg, por më pas shpalli moskompetencë, duke e transferuar çështjen te Gjykata e Krimeve të Rënda.
Konjari qëndroi në burg deri më 14 mars të vitit 2016, kur Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendosi masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje” ndaj tij. Kjo u bë nën argumentimin ligjor se masat e sigurisë, të vendosura nga gjykatat që kanë shpallur moskompetencë i humbasin efektet pas 10 ditëve.
Dhe për Konjarin, nuk u dha asnjë masë nga Krimet e Rënda, duke bërë që të shkelen afatet ligjore. Shkelja e tyre çoi edhe në lirimin e Konjarit. Menjëherë pas lirimit, në mars 2016, Prokuroria bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila në maj e rrëzoi kërkesën, pa e marrë nën shqyrtim çështjen. Këto veprime i dhanë kohë Konjarit që të humbte gjurmët dhe prej asaj kohe, ai është në arrati.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



