Porto Palermo drejt privatit, tunelet dhe baza ushtarake në resort
Vendi strategjik i Porto Palermos, buzë Detit Jon në Himarë, ku dikur ka funksionuar një bazë ushtarake dhe tunele nënujorë për anijet, do t’i jepet privatit për të ndërtuar një resort luksoz. Projekti, i nisur nga Korporata e Investimeve Shqiptare para tre vitesh, nuk është bërë kurrë publik deri tani.
Sipas informacionit të siguruar nga VoxNews, drejtuesit e Korporatës kanë kryer një seri veprimesh në fshehtësi për të përgatitur tjetërsimin e një zone nga të bukurat natyrore të Shqipërisë. Dokumente janë marrë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, por deri më sot nuk ka transparencë mbi nismëtarin e planit.
Një sipërfaqe e madhe e ish-bazës ushtarake do të shndërrohet në hotel luksoz, ndërsa afër tuneleve nënujore të ndërtuara gjatë diktaturës dhe të hapura kohët e fundit për publikun, është planifikuar të ndërtohet një marinë për jahte dhe anije.
Në korrik 2022, qeveria shpalli gjirin e Porto Palermos si ekosistem natyror detar-bregdetar, duke përcaktuar një sipërfaqe prej 1.694 hektarësh, nga të cilat 87.93% janë sipërfaqe detare dhe vetëm 12.07% tokësore. Megjithatë, zona tokësore, ku përfshihet edhe ish-baza dhe kalaja në ishull, është e kufizuar dhe pjesa tjetër e tokës, e dominuar nga Porto Palermo, është lënë jashtë mbrojtjes, duke hapur rrugën për ndërtime dhe tjetërsim.

E njëjta ministri që propozoi parkun natyror ka financuar edhe planin e menaxhimit, përfshirë Gjirin e Llamanit dhe pjesë të ish-bazës ushtarake. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, projekti përfshin:
-
Ndërtimin e një resorti elitë 5-yjëshe
-
Portin dhe vendet për ankorimin e jahteve dhe varkave
-
Rivitalizimin e tuneleve të nëndetëseve, duke i kthyer në muze
-
Shërbime të mirëmbajtjes dhe infrastruktura për turistët
Sipas KLSH-së, projekti është parashikuar të zbatohet në disa faza: përgatitja e fizibilitetit, shprehja e interesit nga investitorët privatë, miratimi nga bordi i AIC, miratimi nga Kryeministri, dhe finalizimi i marrëveshjeve midis AIC, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Financave për transferimin dhe zhvillimin e asetit.
Megjithatë, është konstatuar se Korporata nuk ka ndjekur të gjitha hapat ligjorë, pasi projekti është iniciuar dhe kontraktimi i ekspertëve është bërë pa u siguruar më parë transferimi i pronës shtetërore në administrimin e AIC-së.
Ky vendim i diskutueshëm për tjetërsimin e ish-bazës së Porto Palermos vjen pas precedentëve të ish-bazave ushtarake në Sarandë dhe Shëngjin, të cilat po hetohen nga Prokuroria e Posaçme për tjetërsim prone dhe ndërtime pa leje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



