PORTRETI I NJË SHQIPËRIE QË “PO I IKËN TRURI”
Më pas, piktura u dogj, dokumente arkivash të viteve të mëvonshme dëshmuan se Lady Churchill vendosi kështu, duke e privuar Anglinë nga një vepër që u cilësua si homazhi i jashtëzakonshëm për burrin e shtetit që siguroi edhe një çmim Nobel në Letërsi. Çfarë Sutherland-i pa përballë tij, qe plakja e mrekullueshme sipas tij, por nuk kishte pse kërkonte falje për këtë.
“E kujtoj Londrën e atyre viteve”, – do të pohonte ai më pas, – “qe e mbushur me shenja rëniesh, gërmadhash e degradimesh, por ne qemë krenarë për to si për pamjen, ashtu edhe për cilësinë e historinë që përfaqësonin. Churchill-i pretendoi se ngjante i budallepsur, kur në fakt nuk qe kështu. Ai i ngjante një njeriu në moshë, që kishte kaluar e përjetuar gjithçka.”
Teksa e ndesha këtë pjesë të historisë britanike, të njeriut që nuk lënë rast edhe liderët tanë politikë pa e cituar, në serialin e famshëm dramatiko-historik, “The Croën”, po mendoja si do të reagonin liderët e sotëm ndaj një portreti të tyre, bërë me realizëm dhe mbi të gjitha si do ngjante ky portret. Çfarë historie do të bartte penelatave, nuancave, kontureve, dritëhijeve? Sa krenari, jetë, sfida, heroizëm, drama, fitore e humbje dhe të çfarë cilësie?
Për një kryeministër që është edhe vetë piktor, si do t’i ngjante studimi i vetes para pasqyrës, në çdo tipar të fytyrës? Askush nuk mund ta dijë. Por nëse Sutherland pa edhe Britaninë e asaj kohe, gjeti shprehjen e saj fizike e morale edhe në portretin përballë tij, ndaj sot e kësaj dite, djegia e veprës konsiderohet humbja e një kryevepre.
Me këtë logjikë, mjafton të shohim Shqipërinë e sotme dhe të imagjinojmë portretin e njerëzve që po e drejtojnë.
Shqipërinë e dy-tre viteve të fundit, fotografojeni për një çast, e aty do të mund të skiconi portretet e atyre që e drejtojnë dhe drejtuan deri këtu.
Shqipërinë që po humbet dalëngadalë kujtesën e saj historike, bashkë me njerëzit e saj.
330 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi gjatë 7 viteve të fundit, deklaron INSTAT. Është njëlloj si të thuash se, Shqipërisë i është larguar një qytet i madh me gjithë rrethina. Vetëm në vitin 2017, janë larguar 40.000 persona.
Shqipëria sot është një vend i braktisur.
Në një vit, popullsia e Shqipërisë është zvogëluar me 0,2%, nga emigracioni dhe lindshmëria e ulët. Më shumë ikin nga ky vend se vijnë.
Shqipëria është një vend me popullsi që tkurret.
BE-ja nënshkroi pak ditë më parë me Shqipërinë, një marrëveshje për ruajtjen e kufijve të BE-së nga emigrantët e paligjshëm dhe krimi i organizuar shqiptar. Një forcë e quajtur FRONTEX, do të patrullojë brigjet tona, në përpjekjen për të ulur numrin e atyre që abuzojnë me liberalizimin e vizave.
Shqipëria sot është një vend nën mbikëqyrje, e izoluar.
Shqiptarët vijojnë të jenë shqetësim për numrin e lartë të kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Europian. Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, gjatë viteve 2015-2017, kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian 132 mijë shqiptarë. Por, nga ana tjetër, mijëra të tjerë janë larguar nga vendi me kontrata pune, studime, me Lotarinë Amerikane, me aplikime për në Kanada ose po bashkohen me të afërmit e tyre. Holanda dhe Franca vijojnë të na kujtojnë kthimin e regjimit të vizave për Shqipërinë, si të vetmen mundësi për të ndalur fluksin e madh të azilantëve shqiptarë dhe kriminalitetit në rritje. Dhe iket nga një vend në paqe.
Shqipëria eksporton statistika lufte.
Përgjatë 4 viteve të fundit, Shqipëria u identifikua si vendi kryesor i origjinës në Europë, për numrin e lartë të azilkërkuesve. Por vendi i vogël me 2.7 milionë banorë, shënon gjithashtu rekord edhe për numrin e të miturve të pashoqëruar që ka eksportuar drejt Europës. Të dhënat e siguruara nga BIRN, tregojnë se mijëra të mitur të moshave nga 7 deri në 17 vjeç, kanë ndërmarrë udhëtime të rrezikshme, me shpresën se do të gjejnë një të ardhme më të mirë si azilkërkues të pashoqëruar në Europë.
Shqipëria është vendi që nuk mbron dot të miturit e saj.
Sipas të dhënave nga Urdhri i Mjekut, në tre vitet e fundit, e kanë lënë vendin më shumë se 600 mjekë, ku vetëm përgjatë vitit 2017, kanë kërkuar referencë largimi rreth 167 të tillë, kryesisht kardiologë, ortopedë, pediatër etj. Dhe kjo ndodh në një kohë kur përgatitja e një mjeku kërkon të paktën 20 vjet arsimim, gjë që vështirëson ndjeshëm zëvendësimin e tyre. Spitale rrethesh janë pa mjekë, stafe të mangëta. Statistika dëshmon se çfarë dëmi po i shkaktohet shëndetit të shqiptarëve.
Shqipëria është vendi ku shëndeti po shkon drejt dorës së Zotit.
Sipas anketimit realizuar nga Barometri i Ballkanit, 50% e të anketuarve më 2017, janë përgjigjur se po planifikojnë të largohen nga vendi. Në vitin 2016, kishin pohuar se po merrnin në konsideratë të largoheshin nga vendi, 48% e të anketuarve. Dhe pjesën dërrmuese e zënë të rinjtë. Krenaria jonë për shumë kohë, ka qenë mosha e re e popullsisë.
Shqipëria është një vend që po plaket shpejt.
FMN-ja në studimin, më të fundit, mbi efektet e emigracionit në ekonominë e Ballkanit, arriti në përfundimin se PBB-ja (Prodhimi i Brendshëm Bruto) e Shqipërisë, ka humbur 18% në dy dekadat e fundit, si rezultat i largimit masiv të “trurit”.
Shqipëria është një vend që “po i ikën truri”.
Shqipëria është vendi i projektit 1 miliard dollarë, të skemave të partneritetit publik-privat, që deri më sot vetëm i kanë kushtuar xhepave të shqiptarëve, po aq sa cilësisë së mangët të jetës së tyre. Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një raport të fundit, i rekomandon Shqipërisë të heqë dorë nga projekti 1 miliard për ndërtimin e rrugëve, sepse kjo shton ndjeshëm borxhet e saj, që edhe sot për sot janë shumë të larta. Të dhënat e Institutit Europian të Statistikave tregojnë se, Shqipëria është vendi me borxhin më të lartë në Europë nga kontratat e Partneritetit Publik Privat. Të gjitha vendet e Bashkimit Europian kanë detyrime për kontratat e PPP-ve që nuk e kalojnë nivelin 3% të Prodhimit Kombëtar, ndërsa në Shqipëri kjo shifër është më e lartë dhe po rritet me shpejtësi nga kontratat koncensionare. PPP-të do t’i kushtojnë qytetarëve shqiptarë rreth 70 milionë euro për vitin 2018, sipas Open Data Albania. Dhe kjo është barrë mbi këtë të fundit, për rrjedhojë mbi shqiptarët. Pavarësisht se qeveria nuk na e thotë.
Shqipëria është një vend i zgërlaqur nga korrupsioni dhe me një idiosinkrazi të fortë ndaj transparencës dhe llogaridhënies së zyrtarëve publikë, një vend që po e ngulfat borxhi.
Pak ditë ma parë, qeveria vendosi dënime me gjoba për ata që “spiunojnë” statistika te ndërkombëtarët. Shprehimisht, projektligji thotë “Për rastet e dërgimit të të dhënave zyrtare, institucioneve ndërkombëtare nga ana e agjencive statistikore, pa njoftimin e INSTAT-it, dënohet me gjobë deri në 50.000 lekë. Për rastet e përsëritura, gjobat janë nga 50.000 lekë deri në 250.000 lekë për çdo shkelje”. Por me gjobë dënohen edhe personat që japin të dhëna konfidenciale ndaj të tretëve, për qëllime kërkimore.
Shqipëria është vendi i matematikës së mbrapshtë, ku tashmë 1+1 mund të bëjnë 0, ose edhe 4, sipas midesë së qeverisë.
Kjo është tabloja e vetëm zhvillimeve të fundit, pa i hyrë thellë panoramës e relieveve që të shpien në të tjera “peizazhe” të frikshme të Shqipërisë që duam të shohim, për të kuptuar portretin e një Sutheland-i të mundshëm për liderët tanë. Megjithëse, askush prej tyre nuk do ta pranonte portretin e realizuar sipas kësaj filozofie, le ta cilësojnë këtë artikull një fotografi.
Dhe çdo foto, është një autoportret. Këta jeni ju!Albanian Free Press
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



