PPP-ja e laboratorëve punon më pak dhe zhvat më shumë para nga buxheti
Keni parë ndonjëherë që të ulet sasia e punës dhe të rriten akoma më shumë harxhimet? Këtë e bën vetëm Manastirliu, është ekskluzivitet i saj. Numri i analizave të kompanisë koncesionare “Laboratory Network” shënoi rënie vjetore me 17% vitin e kaluar, por pagesat buxhetore shënuan rritje 46%, sipas të dhënave zyrtare.
Numri i ekzaminimeve laboratorike vitin e kaluar ishte 5,372,603 me rënie 17% në krahasim me vitin 2021, por pagesat janë rritur së tepërmi ndaj PPP-së, që ofron këtë shërbim. Shteti e pagoi koncesionin e laboratorit me 1.6 miliardë lekë, krahasuar me 1.1 që e kishte paguar një vit më parë, duke shëniar një rritje të frikshme prej 46%.
Në sektorin e shëndetësisë, PPP-të janë bërë shumë problematike, teksa fondet që kanë detyrimin të monitorojnë kontratat, kanë mungesë të burimeve njerëzore dhe nuk kanë aftësinë të evidentojnë abuzimet. KLSH herë pas here po evidenton shkelje, që i kushtojnë popullit shqiptar dhjetëra miliona euro dëm financiar.
Ndërkohë, për të ndaluar këtë abuzim, Ministria e Shëndetësisë ka hapur një tjetër PPP, ku sërish do t’i marrë para shqiptarëve. PPP-ja që do të kontrollojë PPP-në laboratorit ka për qëllim të menaxhojë vëllimin e recetave të testeve laboratorike, kufirit vjetor të buxhetit të spitalit dhe të tarifës për pagesat e performancës së shërbimit.
Nga aspekti i fitimeve, kontratat PPP janë ndër bizneset më suksesshme në vendin tonë. Por duke qenë se aktiviteti i tyre bazohet në fondet buxhetore, normat e larta të fitimit tregojnë se qeveria nuk është duke administruar me përgjegjësi taksat e shqiptarëve, me pak fjalë po i menaxhon fiks si të mos jenë lekët e veta.
Vlera e financimeve për koncesionin e laboratorit vetëm këtë vit u rrit me 2.4 milionë euro. Kostot më të mëdha i ka “Qendra Spitalore Nënë Tereza”. Nga buxheti vjetor i QSUT-së prej mbi 8 miliardë lekë, 764 milionë lekë ose 9% e totalit të financimit shkojnë për koncensionin e laboratorit. Kontrata PPP e laboratorëve nisi në vitin 2019 dhe përfundon në vitin 2028 më një shumë financimi 13 miliardë lekë pa TVSH.
Për situatën e koncesionit të laboratorit në sektorin e shëndetësisë. Është e rëndësishme të ndiqet me kujdes shpenzimi i buxhetit dhe menaxhimi i fondit publik nëpërmjet partneritetit publik-privat (PPP). Ka ardhur koha për qeverinë të sigurojë monitorim të përgjegjshëm dhe transparent për të mbrojtur interesat financiare të qytetarëve shqiptarë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



