E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Preç Zogaj përkujton “8 Dhjetorin” dhe flet mbi situatën aktuale në PD: Kjo që ndodhi hoqi dualizmin e kryetarit dhe na afroi më ShBA-të, dy premisa fituese
Lajme

Preç Zogaj përkujton “8 Dhjetorin” dhe flet mbi situatën aktuale në PD: Kjo që ndodhi hoqi dualizmin e kryetarit dhe na afroi më ShBA-të, dy premisa fituese

Publicisti Preç Zogaj, gjatë organizimit të mbajtur nga Partia Demokratike në lidhje me pasqyrimin e ngjarjeve të “8 Dhjetorit”, u ndal dhe tek zhvillimet aktuale në këtë forcë politike.

Zogaj u shpreh se zhvillimet e fundit kanë pasur dy anë pozitive të cilat mund t’i vijnë në ndihmë së djathtës për tu rikthyer në pushtet. Sipas tij pezullimi i liderit historik Sali Berisha bëri që të hiqet dualizmi mbi kryetarin real të PD-së, si dhe e afroi partinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Analisti thekson se këto janë dy premise që të çojnë në fitore.

“Partia Demokratike është përfshirë në një krizë dhe jemi të shqetësuar për bashkimin e Partisë Demokratike. Jemi të shqetësuar për ata që mendojnë kundër nesh, për ata që na shajnë, pasi nuk kemi tjetër formacion politik. Ka mbi 10 vjet që nga pozita e një publicisti jam pranë Partisë Demokratike. Gjatë këtyre viteve kam shprehur dy gjëra, e para që Partia Demokratike që të kthehet fituese në zgjedhje duhet që të zgjidhet dualizmi mes kryetarit dhe ish-kryetarit. Pikëpamja ime e dytë është që prej disa vitesh është që ka patur një pengim nga ana e ShBA-ve për Partinë Demokratike. Ajo është fuqi e madhe dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë pa ata.

Kjo gjë që ndodhi ka hequr dualizmin dhe ka zgjidhur pengesën amerikane. Këto janë dy premisa të fuqishme pa të cilat edhe po t’i kesh të tjerat nuk mund të fitosh”, tha  Zogaj.

Gjithashtu gjatë fjalës së tij publicisti rikujtoi dhe fillimet e pluralizmit në Shqipëri, si një prej themeluesve të Partisë Demokratike. Sipas tij pluralizmi në Shqipëri u fitua nga lëvizja e Dhjetorit, ndërsa PD ishte produkti politik i saj.

“Unë jam Preç Zogaj, jam shkrimtar dhe poet, publicist për të gjithë që nuk më njohin. Jam një nga themeluesit e parë të Partisë Demokratike, së bashku me studentët e dhjetorit, Azem Hajdarin, Sail Berishën, Gramoz Pashkon dhe Arben Imamin. Unë kam shkruar gjerë e gjatë për lëvizjen e dhjetorit dhe për tranzicionin. Por libri më i dashur është Fillimet që ka në fokus zhvillimet 1990-1992. Faqet që me emocionojnë dhe mua janë orët e një ngjarjeje ku unë nuk kam qenë pjesë, që janë ngjarjet e mbrëmjes së 8 Dhjetorit deri në mesnatë. Ishte një ngjarje që i dha betejën më ballore regjimit komunist. Ata u nisën natën nga një qytet pa drita drejt të panjohurës, drejt shkopinjve të gomës, aty është momenti kur një grup studentësh që nuk kanë shumë njohje por i dhanë drejtim vendit.

Unë atë ngjarje e kam bërë duke u konsultuar dhe me Azem Hajdarin. Ne nuk ishim student, ne u bashkuam me lëvizjen të pasnesërmen dhe pas tre ditësh.

Çfarë është një gjë që na bashkon të gjithë neve që kemi shkruar për atë ngjarje, është që demokracia dhe pluralizmi janë vepër e rinisë në Shqipëri.

E dyta sërish është që lidhet po me rininë, kthimi i Shqipërisë për herë të parë me fytyrë nga perëndimi është vepër e rinisë. Kjo ndodhi atë ditë, çdo gjë që erdhi më pas, edhe Partia Demokratike erdhi për t’i dhënë shprehje politike asaj që studentët vendosën, kthimin e Shqipërisë drejt perëndimit. Nuk është asnjëherë e tepërt të përkulemi përballë studentëve që u përballën me Ramiz Alinë. Janë emra konkret që u përballën me Ramiz Alinë dhe ja morën pluralizmin. Kjo është Shqipëria, Shqipëria demokratike është identiteti i rinisë.

Demokracia nuk është pronë, lidershipi nuk është pronë. Prona janë në sisteme të mbyllura. Në sisteme të hapura ato lihen me stafetë. Shqipëria ka rininë, lëvizja studentore e rinisë është monumenti më i madh i ngjarjeve që e parapërgatitën duke filluar me 14 Janarin, ku një grup studentësh në Shkodër projektuan rrëzimin e bustit të Stalinit, më pas kemi ngjarjen në Kavajë, kemi hapjen e ambasadave”. tha Zogaj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.