President Bajrami vë në punë kompjuterët e “blinduar”
Në Presidencë është shpikur inovacioni më i madh institucional: si të shkelësh Kushtetutën me një klikim. Sigurisht, jo me çdo laptop të zakonshëm, por vetëm me ato që kushtojnë 25 mijë euro. Sepse vetëm një kompjuter “i blinduar” mund të përballojë peshën e një dekreti antikushtetues.
Ju kujtohet tenderi i PC të blinduar . Në listën e blerjeve hyjnë: një fotokopje, tre laptopë dhe katër kompjutera. Në treg, kjo paketë kushton jo më shumë se 6–7 mijë euro. Por në Presidencë kushton katërfish, sepse ka disa veçori “të fshehta”:
1- Programi Copy-Paste Rama – çdo dekret i dërguar nga Kryeministria instalohet automatikisht te Presidenti.
2- Antivirus Anti-Kushtetues – bllokon çdo nen që mund të pengojë zgjedhjet e shpallura nga Rama.
3- Excel “elektorale” – llogarit automatikisht datën e zgjedhjeve, pa pyetur Gjykatën Kushtetuese.
4- Fotokopja VIP – shumëzon dekrete me shpejtësi rekord, për të mos i lënë kohë opozitës të reagojë.
Nëse qytetarët pyesin pse paguajnë katërfish për këtë pajisje “magjike”, përgjigjja është e thjeshtë: sepse në Shqipëri demokracia është bërë softuer me licencë të kushtueshme, që funksionon vetëm në kompjuterët e Presidentit.
Dhe tani mbetet vetëm një dilemë:
Nëse Kushtetuta nuk hapet dot në Windows 11, a do të hapë Presidenca një tender të ri për një “update” edhe më të shtrenjtë?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



