E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Presidenti Meta kthen për rishqyrtim Aktin Normativ për “Menaxhimin e Buxhetit”
Lajme

Presidenti Meta kthen për rishqyrtim Aktin Normativ për “Menaxhimin e Buxhetit”

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend Aktin Normativ për “Menaxhimin e Buxhetit”.

Në argumentet e tij për kthimin e ligjit kreu i shtetit thotë se ai cenon Kushtetutën, ndarjen dhe balancimin e pushtetit, shtetin e së drejtës dhe parimin e proporcionalitetit,

“Akti Normativ heq çdo pengesë ligjore, për t’i hapur rrugë rritjes pa kufi të borxhit publik Ndryshimet e miratuara, rrezik real të lartë për rritjen e mëtejshme të borxhit publik, duke kaluar kufirin e 80% të PPB. Ndryshimet e miratuara, sjellin rrezik për mosrespektimin e disiplinës financiare për administrimin fiskal si në drejtim të burimeve, ashtu edhe në drejtim të shpenzimeve publike. Nuk justifikohet as me “nevojën” dhe as me “urgjencën” “, deklaron presidenti.

“Tejkalon kompetencat kushtetuese të Këshillit të Ministrave. Akti Normativ rrit shpenzimet publike dhe cenon qëndrueshmërinë e financave publike, në kundërshtim me rekomandimet e FMN. Reflekton një papërgjegjshmëri të lartë të Qeverisë në drejtim të mos mbështetjes së familjeve në nevojë dhe të bizneseve të prekura nga COVID-19. Rritja e shpenzimeve dhe e borxhit ka prodhuar tkurrjen më të ulët ekonomike në vitin 2020, si dhe mosrealizmin e parashikimeve për vitin 2021. Akti Normativ nuk vjen si zgjidhje e problematikës së evidentuar nga pandemia, por e thellon më tej atë. Nuk përmbush pritshmëritë e qytetarëve duke cenuar të ardhurat e shtetit”, vijon kreu i shtetit.

DEKRET

PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 86/2021 “PËR MIRATIMIN E AKTIT NORMATIV, ME FUQINË E LIGJIT, NR. 25, DATË 22.6.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 9936, DATË 26.6.2008, “PËR MENAXHIMIN E SISTEMIT BUXHETOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës,
Dekretoj:
Kthimin në Kuvend të ligjit nr. 86/2021 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 25, datë 22.6.2021, i Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për rishqyrtim sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.

Nr. Dekretit 13179
Tiranë, më 28.07.2021

PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.