E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Presioni turk dhe hija e Gylenit çojnë drejt mbylljes universitetin “Bedër”?
Lajme

Presioni turk dhe hija e Gylenit çojnë drejt mbylljes universitetin “Bedër”?

Kolegji Universitar “Bedër” pritet të ndërpresë aktivitetin e tij akademik, sipas burimeve pranë institucionit, duke ngritur pikëpyetje të shumta mbi të ardhmen e këtij universiteti jopublik në Shqipëri.

Sinjali i parë konkret lidhet me faktin se për vitin akademik 2026–2027 nuk do të ketë pranime të reja studentësh. Ndërkohë, për studentët ekzistues është parashikuar një fazë tranzitore, që u mundëson atyre të përfundojnë studimet sipas programeve aktuale.

Të diplomuarit do të vijojnë normalisht procedurat për marrjen e diplomës, ndërsa studentët që janë ende në ndjekje të studimeve po orientohen drejt transferimit në universitete të tjera, në mënyrë që të mos penalizohen në rrugëtimin e tyre akademik.

Edhe pse nuk ka ende një njoftim zyrtar nga drejtuesit e institucionit, zhvillimet e fundit kanë nxitur diskutime mbi arsyet reale që qëndrojnë pas këtij vendimi. Deri më tani, faqja zyrtare e “Bedër” vijon të jetë aktive, por pa asnjë informacion lidhur me pranime të reja apo ndryshime në funksionimin e universitetit.

Në sfond, përmendet shpesh edhe dimensioni politik i çështjes. Prej vitesh, Turqia ka kërkuar nga Shqipëria mbylljen e institucioneve që i konsideron të lidhura me lëvizjen e Fethullah Gylen, të cilin Ankaraja e akuzon si organizator të tentativës për grusht shteti në vitin 2016. Deri më tani, qeveritë shqiptare e kanë trajtuar këtë si një çështje të brendshme, duke mos ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim.

Për këtë arsye, përkimi në kohë i këtij zhvillimi me vizitën e fundit të kryeministrit Edi Rama në Ankara ka shtuar spekulimet mbi një mundësí ndikimi politik, edhe pse mungon çdo konfirmim zyrtar.

Kolegji Universitar “Bedër”, i themeluar në vitin 2011 nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, funksionon si një institucion jopublik dhe jofitimprurës në arsimin e lartë. Për momentin, mbetet për t’u parë nëse do të ketë një qëndrim zyrtar që do të sqarojë plotësisht situatën dhe arsyet e këtij zhvillimi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.