Procedohen penalisht 3 organizatorë e protestës
Ditën e djeshme është organizuar një protestë nga qytetarët në sheshin “Skënderbej”, për të protestuar për heqjen e masave ndaj COVID-19.
Sipas Policisë së Shtetit kjo protestë ishte e paligjshme, ndaj janë proceduar penalisht 3 organizatorët, Sazan Guri, Zaçe Islami dhe Klajdi Bello, të cilët kishin bërë thirrje publike për protesta, edhe pse në këtë kohë pandemie janë të ndaluara me ligj grumbullimet.
Këta 3 organizatorë janë gjobitur edhe me 500 mijë lekë të reja, ndërsa akuzohen për prishje të qetësisë dhe të rendit.
Ndërkohë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe 4 qytetarë që kishin marrë pjesë në protestë, ndërsa policia bën me dije se po shikon pamjet filmike për të identifikuar edhe persona të tjerë që kanë marrë pjesë në protestë.
Kujtojmë që protesta e djeshme u shoqërua edhe me arrestime, ku policia nuk ngurroi as t’i merrte zvarrë protestuesit që nuk dëshironin të largoheshin.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë – Organizuan protestë të paligjshme, procedohen penalisht 7 persona, ndërmjet tyre edhe 3 organizatorët e tubimit.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar në sheshin “Skënderbej”, proceduan penalisht në gjendje të lirë 7 shtetas.
Procedimi ndaj tyre nisi pasi në datë 7 maj 2020, rreth orës 11:30, te sheshi “Skënderbej” kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetetente, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, aq më tepër në situtatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet.
Shtetasit Z.I., K.B. dhe S.G., në rolin e organizatorëve të protestës, më herët kanë bërë thirrje në rrjete sociale për protesta e tubime.
Në vijim të veprimeve janë siguruar pamjet filmike dhe fotografike, si dhe është bërë këqyrja e rrjeteve sociale, pasi nga këta shtetas (organizatorët) bëhen thirrje për protesta dhe tubime.
Nga ana e shërbimeve të Policisë janë vendosur masa administrative/gjoba, pasi asnjëri prej tyre nuk ka patur autorizim për të dalë, bazuar në nenin 3 të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.
Po punohet për masat plotësuese sipas Aktit Normativ, si dhe për shoqërimin e personave të tjerë që kanë marrë pjesë në protestë, pasi janë fotografuar dhe identifikuar nga ana e Policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë në ngarkim të organizatorëve, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në tubime të paligjshme”.
Policia e Shtetit apelon për respektim në maksimum të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



