E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Projeksioni i trishtë i BB: Ajo që në Europë ndodh për dekada, në Shqipëri brenda vitit
Lajme

Projeksioni i trishtë i BB: Ajo që në Europë ndodh për dekada, në Shqipëri brenda vitit

Një skenar i Bankës Botërore mbi projeksionet e popullsisë së Shqipërisë në tri dekadat në vijim tregon se vendit po i vjen pleqëria në mënyrë jo të natyrshme.

popullsia1

 

 

Popullsia mbi 60 vjeç pritet të rritet shumë shpejt duke arritur sa 45% e popullsisë në moshë pune, 15-65 vjeç.

Ajo që për vende të zhvilluara të Europës ka ndodhur për dekada, në Shqipëri po ndodh brenda vitit. Në vitin 2018, raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) ka shënuar rënie në krahasim me vitin 2017, nga 26,0% në 25,4%, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) ka shënuar rritje nga 19,4% në 20,1% për të njëjtën periudhë.

Banka Botërore parashikon se deri në vitin 2050, pensionistët do të jenë sa gjysma e popullsisë në moshë pune. Por, duke qenë se jo e gjithë popullsia në moshë pune punon, me shumë gjasa, numri i pensionistëve do t’i afrohet numrit të personave që punojnë. Ky tranzicion demografik në të cilin është futur vendi, lajmëron vështirësi për skemën e pensioneve në një periudhë jo të largët.

Projeksionet e Bankës Botërore përfshijnë zhvillimet nga viti 1967 dhe parashikime deri më 2050. Siç shihet edhe nga grafiku bashkëngjitur, raporti i varësisë ndaj të moshuarve në vitet 1970 ka qenë vetëm 8% dhe ka qëndruar në këto nivele deri në vitet 1990. Por me ndryshimin e regjimit komunist, popullsia e vendit u përfshi në tranzicion, me lëvizje të shumta të popullsisë brenda dhe jashtë vendit dhe mbi të gjitha, me rënie të numrit të lindjeve. Raporti i varësisë për moshat e vjetra arriti në mbi 20% vitin e kaluar, duke u rritur më shumë se parashikimet.

Në vitin 2011, kur u bë censi i fundit, varësia e të rinjve ndaj popullsisë në moshë pune ishte 30% dhe për të moshuarit 17%. Përqindja e fëmijëve do të ulet më tej (në 17% në vitin 2020, gjysma e përqindjes së vitit 1989) dhe ajo e të moshuarve do të trefishohet në 15% krahasuar me vitin 1989.
Praktikat e vendeve të tjera që kanë kaluar tranzicione të ngjashme të popullsisë, kanë vërtetuar se konsumi udhëhiqet nga moshat e reja. Në kohën e “babyboomers” pas Luftës së Dytë Botërore, për fëmijët 0-14 vjeç në SHBA u shpenzuan 400 miliardë dollarë më shumë se për grupmoshat e tjera. Ndryshimi i popullsisë në favor të moshave të vjetra nuk është lajm i mirë për kompanitë e teknologjisë që kanë konsumatorë pararojë të rinjtë. Monitor

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.