E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Projekti i ishullit të Sazanit dhe rreziku i 36 specieve detare të rralla
Lajme

Projekti i ishullit të Sazanit dhe rreziku i 36 specieve detare të rralla

Rreth 40 organizata ndërkombëtare që veprojnë në mbrojtjen e mjedisit kanë dalë hapur kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të nismës së propozuar nga Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas këtyre organizatave, investimi i parashikuar përbën një kërcënim serioz për ekosistemin e brishtë dhe biodiversitetin unik të zonës, të cilat rrezikojnë të dëmtohen në mënyrë të pakthyeshme.

Projekti synon shndërrimin e ishullit të pabanuar të Sazanit, i ndodhur në jugperëndim të Shqipërisë, në një destinacion turistik ultra-luksoz. Ishulli, që gjatë periudhës komuniste ka funksionuar si zonë ushtarake e izoluar dhe sekrete, parashikohet të kthehet në një kompleks turistik gjigant, me një vlerë investimi të llogaritur rreth 1.2 miliardë euro.

Në një letër zyrtare drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Mjedisit, Sofian Jaupaj, 41 organizata mjedisore nga 28 shtete të ndryshme shprehin shqetësimin e tyre të thellë për pasojat që ky projekt mund të sjellë mbi ekosistemet tokësore dhe detare të ishullit.

Deri në këto momente, autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë një reagim zyrtar lidhur me këtë kërkesë të adresuar në nivelet më të larta të qeverisë.

Sipas organizatave nënshkruese, plani i zhvillimit përfshin ndërhyrje në rreth 450 hektarë sipërfaqe, duke vënë në rrezik serioz habitatet natyrore dhe biodiversitetin e zonës. Ishulli i Sazanit dhe hapësirat detare përreth tij konsiderohen zona kyçe për mbijetesën e disa prej specieve më të rralla dhe të kërcënuara në botë.

Një ndër shqetësimet kryesore lidhet me praninë e fokës mesdhetare (Monachus monachus), një nga gjitarët detarë më të rrezikuar globalisht, e renditur si specie në rrezik zhdukjeje nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës. Përveç saj, në këtë zonë janë identifikuar edhe 36 specie të tjera detare të klasifikuara si të kërcënuara në nivel global.

Organizatat mjedisore kërkojnë jo vetëm pezullimin e çdo vendimmarrjeje për vijimin e projektit, por edhe përfshirjen e territorit tokësor të ishullit të Sazanit brenda parkut kombëtar detar që aktualisht e rrethon atë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.