E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Prokuroria e Krimeve të Rënda: Z.Rama je Kryeministër dhe  jo gjykatës apo prokuror!
Lajme

Prokuroria e Krimeve të Rënda: Z.Rama je Kryeministër dhe jo gjykatës apo prokuror!

Krimet e Rënda i përgjigjen Edi Ramës: E dinim që në fillim se do na sulmonit për Tahirin

Prokuroria e Krimeve të Rënda i është përgjigjur deklaratave të ditës së sotme të bëra nga kryeministri Edi Rama i cili e sulmoi institucionin e akuzës se nuk ka prova për Saimir Tahirin, por donin ta arrestonin dhe më pas të gjenin provat.

Deklarata e plotë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda:

Prokuroria për Krime të Rënda rithekson qëndrimin e saj se deklaratat politike nuk e kanë intimiduar dhe nuk mund ta intimidojnë aktivitetin e saj hetimor.

Prokuroria për Krime të Rënda e ka të qartë se, që në fillimet e këtij hetimi, do të përballej me goditje frontale politike, për shkak se person nën hetim është ish-ministri i Brendshëm dhe aktualisht deputet i Parlamentit të Shqipërisë.

Por, kjo nuk e pengoi aspak që t’i drejtohej Kuvendit të Shqipërisë me kërkesë për autorizimin për arrestimin e personit nën hetim. Pasi, në vlerësimin e prokurorëve të çështjes, ekzistojnë kushtet dhe rrethanat ligjore, për të cilat është e nevojshme të merren masat që parashikon Kodi i Procedurës Penale për rastet e veprave të rënda, si ato të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si edhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë….”.

Gjithçka çfarë u deklarua publikisht nga Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, paraditen e së Hënës (dt. 23.10.2017) shkon në të kundërt të asaj që është deklaruar për dy vite me radhë-Reformën në Sistemin e Drejtësisë.

Në fjalën e tij, kryeministri, në cilësinë e Kryetarit të subjektit politik që ai drejton, shprehu opinionin dhe vlerësimin mbi provat e paraqitura në mënyrë sekrete nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda në Këshillin e Mandave dhe Imuniteteve në Parlamentin e Shqipërisë.

Pra, në mënyrë publike, Kryeministri mori rolin e gjykatës, një atribut që nuk i takon as me Kushtetutë dhe as me ligj.

Në vlerësimin tonë, ky qëndrim publik i Kryeministrit është sinjal i qartë që lufta kundër korrupsionit në nivele të larta, qëllimi i të cilës ishte edhe miratimi i Reformës në Drejtësi, do të kontrollohet nga politika.

Prokuroria për Krime të Rënda ka pasur kënaqësinë, disa kohë më parë, të dëgjojë përvojën e homologëve të saj në Kroaci, hetimet e të cilëve, të nisura për një orë dore, përfunduan me arrestimin e, më tej, me dënimin e ish-kryeministrit të atij vendi. Gjithashtu, përvoja të ngjashme të suksesshme ka pasur edhe në vende, si Rumania e të tjerë.

Prokuroria për Krime të Rënda është e bindur se i gjithë faktori politik shqiptar, i mbështetur edhe nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, hartuan Reformën në Drejtësi, duke pasur si guidë të suksesshme përvojën kroate e rumune, të cilat i ndihmuan për t’u integruar në Bashkimin Europian.

Nëse hetimet e Prokurorisë do të shoqërohen me ndërhyrje flagrante të politikës, atëherë qëllimi i Reformës në Drejtësi për luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në nivele të larta, do të jetë një sfidë e cila nuk do të përballohet me sukses.

Gjithësesi, Prokuroria për Krime të Rënda po vijon hetimet e saj, si për rastin konkret, ashtu edhe për çështje të tjera të krimit të organizuar dhe grupeve të strukturuara kriminale.

Deklaratat politike dhe, sidomos presionet indirekte me procesin e Vetingut, nuk mund dhe nuk do të mund të cënojnë proceset hetimore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.