Banesa e Ervis Lamit, i njohur për arratisjen e 7 të dënuarve nga burgu i Drenovës në vitin 2013, është kontrolluar nga policia në lidhje me vrasjen e 48-vjeçarit Lulzim Visha në Zall Mner të Kamzës.
Gjatë kontrolleve, është gjetur një armë tip pistoletë me silenciator në shtëpinë e tij, ndërsa Lami nuk ishte aty në momentin e inspektimit. Dera e banesës është hapur nga një familjar i tij.
Në shtëpinë e tij, që është një ndër dy banesa që ai ka, janë gjetur vrima në mure, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga armë zjarri, ndoshta për të provuar armë të ndryshme. Hetuesit dyshojnë se Lami mund të ketë dijeni për ngjarjen dhe ai pritet të merret në pyetje pasi të gjendet nga policia.
Ervis Lami ka qenë pjesë e arratisjes së famshme nga burgu i Drenovës në vitin 2013, ku, sipas deklaratave të tij, ai dhe Admir Tafili kishin organizuar arratisjen dhe ishin përgjegjës për fushtjen e armëve në burg. Aktualisht, ai është i kërkuar nga autoritetet.
Policia ka arrestuar Eduart Lamin, djalin e xhaxhait të Ervisit, si pjesë të hetimeve. Grupi hetimor ka dyshime se Lulzim Visha ka pasur konflikte të mëparshme me disa anëtarë të familjes Lami, kryesisht për çështje të pronës, dhe kjo është një nga pistat kryesore që po shqyrtohen.