E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Protesta ora 19:00 para kryeministrisë ,Shqipëria në rrezik
Lajme

Protesta ora 19:00 para kryeministrisë ,Shqipëria në rrezik

Qindra qytetarë, mbështetës të opozitës, demokratë janë nisur nga rrethet për të marrë pjesë në protestën e thirrur sot nga Fronti Opozitar për shpëtimin e Shqipërisë.

Me mesazhet kyçe ‘Shqipëria në rrezik’ dhe ‘mos thuaj: ç’më duhet mua?’’, spoti i PD rithekson motivet e protestës dhe kërkon daljen nga apatia shoqërore.

Protesta e Frontit të Shpëtimit Kombëtar do të zhvillohet sot para Kryeministrisë duke rikthyer përballjen politike në vend.

Kryetari i PD, Sali Berisha, në një tur intensiv takimesh me aktorë shoqërorë ka kërkuar bashkimin rreth kauzave kombëtare si shpopullimi, çmimet e larta, ekonomia në rënie dhe shkombëtarizimi nëpërmjet Ballkanit të Hapur.

Nisen protestuesit nga Durrësi, burimet: 2500 pjesëmarrës
Ora 17:55– Rreth 2500 persona nga Durrësi janë nisur me mjete individuale për të marrë pjesë në protestën e opozitës. Kështu kanë konfirmuar për gazetaren Klodjana haxhiaj burime nga PD Durrës. Protesta do të mbahet në orën 19:00.

Protesta e opozitës, kreu i PD Elbasan: Mbi 2500 qytetarë nga qarku
Ora 17:05- Qytetarët janë mbledhur për t’u nisur nga Elbasani drejt Tiranës, për të marrë pjesë në protestën e opozitë. Kreu i PD, Blendi Himçi tha për gazetarin Fatmir Popja se janë mbi 2500 qytetarë nga ky qark që do të marrin pjesë në protestë.

Ora 17:00- PD përcakton 4 pikat ku do të mblidhen protestuesit, Berisha del nga selia në 19:00, në podium flet edhe Monika Kryemadhi

Gazetari Osma Stafa nga selia e Partisë Demokratike ka zbardhur detaje të reja për mënyrën sesi është organizuar protesta që opozita dhe shoqëria civile do të zhvillojnë ditën e sotme në orën 19:00 përballë Kryeministrisë.

Kur ka mbetur rreth 2 orë e 30 minuta nga orari zyrtar i nisjes së protestës, mësohet se të gjitha degët e PD-së në rrethe janë angazhuar për të sjellë sa më shumë qytetarë në këtë tubim.

Qytetarët që do të protestojnë mësohet se do të mblidhen fillimisht në katër pika. Njëra është ajo në sheshin “Skënderbej”, ku do të grumbullohen grupet e protestuesve që vijnë nga Veriu i vendit, pra qytete si Shkodra, Kukësi, Dibra apo Lezha, Atyre do t’u bashkohen edhe protestues nga qytete si Lushnja, Fieri, Vlora, Saranda.

Ndërkohë, në sheshin “Nënë Tereza” do të bëhet grumbullimi i qytetarëve që vijnë nga qarku i Elbasanit dhe Korçës. Sa i përket protestuesve nga Tirana, sipas gazetarit që mbulon selinë blu, ata do të grumbullohen të gjithë së bashku, ku përfshihen protestuesit e zonës së Astirit që kanë kundërshtuar ndërtimin e “Unazës së Re”, por edhe banorët nga çdo zonë e kryeqytetit, të cilët rrezikohen nga shembja e banesave. Mësohet se ata do të vijnë përgjatë lumit të Lanës së bashku me disa grupe te shoqërisë civile.

Sa i përket kreut të PD, Sali Berisha, ai do të dalë nga selia blu në orën 19:00 nën shoqërimin e anëtarëve të FRPD-së, por edhe anëtareve të Forumit të Gruas. Fjala e ish-kryeministrit Berisha do të jetë në fund të tubimit dhe bëhet me dije se lista e folësve, që për momentin numëron rreth 20 emra, mbetet ende e hapur deri në orën 19:00.

Ndërkohë, PD ka lajmëruar Policinë e Shtetit se protesta do zgjasë 2 orë dhe në listën e folësve përpara Kryeministrisë pritet të jetë edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila ka bërë me dije se do të marrë pjesë në protestë.

Protesta e opozitës, rreth 2000 qytetarë nisen nga Dibra drejt kryeqytetit

Ora 16:42- Protestës së thirrur nga partia Demokratike në orën 19:00 këtë të enjte para kryeministrisë i janë bashkuar edhe qytetarë nga Qarku Dibër.

Sipas kryetarëve të degëve të PD në Mat, Bulqizë e Dibër, në total nga ky Qark do të jenë pjesë e protestës rreth 2000 qytetarë.

Gazetari Enver Doçi raportoi për “BalkanWeb” se nisja nga Burreli, Klosi, Bulqiza e Peshkopia është bërë pa orar për shkak se mund të kenë vonesa gjatë rrugës si pasojë e kontrolleve të Policisë.

Ora 16:08- Gazetarja Eneida Petova raportoi për “BalkanWeb” se qindra demokratë beratas janë nisur pasditen e sotme drejt Tiranës, për t’ju bashkuar protestës së thirrur nga opozita në orën 19:00. Organizimi dhe grumbullimi i demokratëve në të gjithë qarkun e Beratit është bërë nga të gjitha strukturat e degëve të Partisë Demokratike në qytetet: Berat, Kuçovë, Dimal, Skrapar e Poliçan.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.