Protestë para Gjykatës Penale për lirimin e të protestuesve të arrestuar
Pas protestës së madhe të zhvilluar të shtunën, organizatorë, aktivistë dhe qytetarë pritet të mblidhen sërish këtë të diel përpara Gjykatës Penale të Tiranës, në një tubim solidarizimi me të rinjtë e ndaluar. Ky mobilizim vjen në një moment kyç, pasi gjykata pritet të vendosë mbi masat e sigurisë për personat e arrestuar gjatë përplasjeve të 2 korrikut.
Tubimi konsiderohet si një reagim i drejtpërdrejtë ndaj tensioneve të forta që shpërthyen pak ditë më parë përpara Parlamentit, ku seanca plenare u shoqërua me incidente dhe përplasje fizike mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Ngjarjet u përshkallëzuan në disa zona të kryeqytetit, duke çuar në ndërhyrjen e policisë me shoqërime dhe arrestime të shumta. Si pasojë e përplasjeve, pati të lënduar nga të dyja palët, si efektivë policie ashtu edhe qytetarë pjesëmarrës në protestë.
Protestuesit e cilësojnë ndalimin e të rinjve si të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre dhe garantimin e të drejtave qytetare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



