E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Protestuesi ‘dhëmbë për dhëmbë me Ramën: S’jam reflektimi yt!
Lajme

Protestuesi ‘dhëmbë për dhëmbë me Ramën: S’jam reflektimi yt!

Debati mes kryeministrit Edi Rama dhe një prej protestuesve para Kryeministrisë ka marrë një kthesë të fortë publike, pas një reagimi të drejtpërdrejtë dhe emocional nga qytetari Erlis Sina.

Gjithçka nisi me një letër publike të kryeministrit, i cili iu drejtua protestuesit duke i thënë se nuk e konsideron armik, por mik, dhe se në figurën e tij sheh një reflektim të vetes. Por përgjigjja që pasoi ishte e prerë dhe pa kompromis.

Në reagimin e tij, Sina e kundërshton këtë qasje, duke theksuar dallimin e thellë mes një qytetari të thjeshtë dhe një drejtuesi që ka mbajtur pushtetin për vite me radhë. Ai refuzon çdo përpjekje për identifikim të përbashkët, duke e bërë të qartë se përgjegjësitë dhe realitetet e tyre janë të kundërta.

“Unë nuk jam ti”, është mesazhi që përshkon të gjithë reagimin, ku protestuesi e akuzon kryeministrin si përgjegjës për problemet që, sipas tij, kanë detyruar shumë shqiptarë të largohen nga vendi dhe kanë krijuar një klimë zhgënjimi e padrejtësie.

Në deklaratën e tij, ai rendit një sërë shqetësimesh që prekin jetën e përditshme të qytetarëve, nga vështirësitë ekonomike te sistemi shëndetësor dhe mungesa e perspektivës për të rinjtë. Sipas tij, pjesëmarrja masive në protesta nuk është e nxitur nga faktorë të jashtëm, por nga përvoja reale e qytetarëve.

Ai gjithashtu kritikon ashpër mënyrën se si, sipas tij, pushteti i interpreton protestuesit, duke e konsideruar këtë si një formë përçmimi ndaj zërit qytetar. Në fund të reagimit, Sina kërkon që figura e tij të mos përdoret për qëllime politike apo për të zbutur përgjegjësitë e qeverisë.

Përplasja mes palëve reflekton tensionin në rritje mes qytetarëve protestues dhe institucioneve, në një moment kur situata politike në vend mbetet e ngarkuar dhe e ndjeshme.

Reagimi i plotë protestuesit:

Përgjigje e detyruar për Edi Ramën!

UNË NUK JAM TI!

Mos më thuaj se te fotografia ime sheh veten tënde.

Unë nuk jam ti.

Unë nuk jam ai që ka pushtetin prej vitesh në dorë.

Nuk jam ai që firmos vendime që ndryshojnë jetët e njerëzve.

Nuk jam ai që kontrollon institucionet, buxhetet dhe fatet e këtij vendi.

Ti je.

Prandaj mos guxo të më thuash se halli im është si halli yt.

Ti nuk je viktima e halleve të mia.

Ti je autori i tyre.

Je autori i emigrimit të mijëra të rinjve që nuk panë më të ardhme në Shqipëri.

Je autori i padrejtësive që i detyrojnë njerëzit të largohen nga vendi i tyre.

Je autori i arrogancës së një pushteti që nuk dëgjon më askënd përveç vetes.

Kur thua se ke frikë nga ata që mund t’i bëjnë keq Shqipërisë, harro një gjë:

Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e votës.

Nuk ka humnerë më të thellë se grabitja e pronës.

Nuk ka humnerë më të thellë se shkatërrimi i dinjitetit.

Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e së ardhmes së një brezi të tërë.

Mijëra njerëz nuk mbushin sheshet sepse i manipulon algoritmi.

Nuk protestojnë sepse ua kërkojnë influencerat.

Nuk zemërohen sepse ua dikton opozita.

Ata dalin në shesh sepse jetojnë realitetin çdo ditë.

Sepse paguajnë faturat.

Sepse kërkojnë punë.

Sepse presin në spitale.

Sepse shohin fëmijët të largohen.

Sepse ndihen të huaj në vendin e tyre.

Dhe kur ti përpiqesh t’i paraqesësh si turmë të përdorur, nuk po i kupton.

Po i përçmon.

Fotografia ime në murin tënd më bën pis.

Mos e përdor për të larë përgjegjësitë e tua.

Mos e përdor për të fshehur dështimet e tua.

Mos e përdor për të ndërtuar historinë tënde si shpëtimtar.

Unë nuk jam ti.

Dhe nëse jam në shesh, nuk jam aty sepse më ka mashtruar dikush.

Jam aty sepse e di shumë mirë kush më ka sjellë deri këtu.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.