Protestuesit e opozitës para gjykatës: Na kanë dhunuar dhe terrorizuar

Këtë të hënë në orën 10:30 dolën para Gjykatës së Tiranës 4 protestuesit e arrestuar pas protestës para Bashkisë së kryeqytetit të premten e kaluar.

Policia nisi arrestimet menjëherë pas protestës duke mësyrë në orët e mesnatës deri mëngjesin e të shtunës në banesat e protestuesve për të bërë arrestimin e tyre. 
Kevin Vidrica, Bernard Metaliaj, Franc Kaloshi dhe Artan Muçmata, janë në masën arrest në burg për përdorim të lëndëve piroteknike dhe kundërshtim të punonjësve të policisë.

Në sallën e gjyqit, protestuesit thanë se janë keqtrajtuar nga forcat e rendit.

Një prej tyre, Franc Kaloshi tha se i kanë terrorizuar familjen.

Ai tha se është i pafajshëm dhe se nuk ka hedhur molotov ndaj forcave të rendit.

“Më kanë terrorizuar familjen. Kanë ardhur në 7 të mëngjesit në banesën time në Fier. Nëna ime, babai im, kanë qenë të pranishëm. Nuk kam qëlluar me molotov apo punonjës policie. Na kanë hequr edhe rripat e pamtallonave, jam demokrat me kontribute familjarisht. Kam protestuar paqësisht. Jam arrestuar në Fier, është rrethuar e gjithë zona për të më arrestuar mua. Kurrë në jetën time në kam qëlluar ndaj një punonjësi policie. Kam respekt për uniformën e policisë së shtetit,” tha ai.

Publikuar nga Publik Media