Protestuesit rrethojnë deputetin Ardit Bido, e shpëton policia
Protesta e qytetarëve ka hyrë në ditën e 19-të radhazi, duke u zhvilluar këtë herë pranë godinës së Kuvendit, në të njëjtën kohë me seancën plenare.
Qindra protestues u grumbulluan pranë hyrjes kryesore, duke bllokuar përkohësisht kalimin e deputetëve të mazhorancës. Si pasojë, shumica e tyre u detyruan të përdorin hyrje alternative për të hyrë dhe dalë nga godina.
Edhe kryeministri Edi Rama shmangu kontaktin me protestuesit, duke u larguar nga Kuvendi përmes një daljeje tjetër.
Një moment tensioni u regjistrua me deputetin e Partisë Socialiste, Ardit Bido, i cili ndryshe nga kolegët nuk u largua menjëherë pas përfundimit të seancës. Ai u përball me protestuesit, të cilët e rrethuan duke e akuzuar me thirrje të forta.
Bido reagoi duke i sfiduar, duke pyetur se për çfarë konkretisht e akuzonin, çka çoi në rritjen e tensionit. Situata u përshkallëzua kur disa protestues u afruan më tepër, duke detyruar ndërhyrjen e policisë për ta larguar deputetin nga turma.
Gjatë ndërhyrjes, një protestues u neutralizua nga efektivët pasi tentoi të ndiqte nga afër forcat e policisë që po shoqëronin deputetin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



